AKTUALITET, 12 Maj 2023, 15:35

Dy ditë para ‘Lokaleve’/ Bllokohet furgoni me pako ushqimore, policia ndalon dy punonjësit e bashkisë. Çfarë ndodhi në Shkodër

Dy ditë para ‘Lokaleve’/ Bllokohet furgoni me pako ushqimore,

Teksa kanë ngelur vetëm dy ditë nga zgjedhjet lokale të 14 majit, forcat politike po gjejnë mënyra nga më të ndryshme për të bindur elektoratin. Siç duket edhe rasti në fjalë mund të ketë të njëjtin qëllim.

Ditën e sotme dy punonjës të Bashkisë së Shkodrës janë kapur nga Policia duke shpërndarë pako me ushqime. Policia bën të ditur se është ndaluar për kontroll rreth orës 13:00, një mjet mjeti, që drejtohej nga shtetasi me inicialet P. D., 49 vjeç dhe pasagjer ishte shtetasi me inicialet M. V., 63 vjeç.

Gjatë kontrollit në këtë automjet janë gjetur 50 qese me ushqime të ndryshme. Pas verifikimeve ka rezultuar se automjeti ishte në administrim të Drejtorisë Ekonomike të Drejtorisë Arsimore Shkodër.

Dy punonjësit e bashkisë Shkodër janë shoqëruar në ambientet e Policisë, së bashku me personin me inicialet E. I., 31 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike të Drejtorisë Arsimore Shkodër, për t’u pyetur në lidhje me këtë rast. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet e thelluara procedurale dhe hetimore, për sqarimin e rrethanave të këtij rasti.