AKTUALITET, 12 Qershor 2023, 10:53

Katër herë kryeministër i Italisë, nga skandalet tek akuzat për korrupsion, kush ishte Silvio Berlusconi

Katër herë kryeministër i Italisë, nga skandalet tek akuzat
Silvio Berluskoni

Sot është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi. Ai humbi jetën si pasojë e problemeve shëndetësore që kishte me zemrën teksa gjendej në reaminacionin e kardiologjisë në Spitalin San Raffaele në Milano.

Silvio Berlusconi ka shërbyer 4 herë si kryeministër i Italisë, përkatësisht në vitet 1994-1995, 2001-2005, 2005–2006 si dhe në vitet 2008–2011.

I diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin Juridik të Milanos në vitin 1961, Berlusconi arriti suksese të njëpasnjëshme në fushën e Biznesit.

E nisi duke themeluar një kompani ndërtimi vetëm një vit pasi u diplomua. Në  fund të viteve '70 ai përqëndroi investimet e tij të biznesit në media ku bleu disa aksione të gazetës “Giornale” . Në vitin 1978 ai themeloi rrjetin televiziv “MediaSet” pjesë e të cilit janë edhe Channale 5, Italia1 dhe Rete 4.

Më 20 shkurt të vitit 1986 Silvio Berlusconi bleu klubin e futbollit Milan të cilin e shiti në muajin prill të vitit 2017.

Përgjatë kohës që Berlusconi ishte pronar i Klubit, Milan ka fituar 29 trofe ku mes tyre 8 tituj kampion në Serinë A, 1 Kupë Italie, 7 Superkupa Italie, 5 Champions League, 2 Kupa Interkontinentale, 5 Superkupa Europe dhe një Botëror për klube.

Përveç medias në perandorinë e biznesit “Berlusconi” që prej vitit 1990  u përfshin edhe kompani sigurimesh, dyqane, fonde investimesh dhe pensionesh.

Më 18 janar të vitit 1994 Berlusconi themelon partinë “Forca Italia” dhe po në të njëjtin vit arrin të bëhet kryeministër i vendit.

26 Janari i vitit 1994 përkujtohet në Itali si “Dita e Berlusconit”. "The Times" në Londër shkroi një editorial ku thuhej se për italianët dhe një pjesë të Europës ishte e pamundur që Berlusconi të fitonte zgjedhjet.

Megjithatë fitorja ndodhi. Koalicioni i partive të krijuara nga Berlusconi, i cili përfshinte neofashistët dhe Lidhjen e Veriut mori 366 nga 630 vendet në parlament. Ai qëndroi në pushtet si kryeministër i vendit më pak se një vit pasi u përball me përçarje të koalicionit qeverisës si dhe hetime të ndryshme sa i përket bizneseve të tij. Teksa po përballej me një votëbesim në Parlament, Berlusconi njoftoi dorëheqjen e tij më 22 dhjetor të vitit 1994 dhe qëndroi si kryeministër i vendit deri në janar të vitit 1995.

Pas dorëheqjes Berlusconi u hetua për korrupsion dhe mashtim  tatimor, akuza këto të cilat u rrëzuan.

Mes premtimeve për ulje taksash, shtimin e vendeve të punës dhe pensione më të larta, Berlusconi udhëhoqi një koalicion të qendrës së djathtë drejt fitores në zgjedhjet parlamentare kombëtare  të vitit 2001 dhe u bë përsëri kryeministër.

Pasi erdhi në detyrë, Berlusconi u përball me një sërë sfidash. Ai mbështeti udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, pushtimin e Irakut dhe vendimi i tij për të dërguar trupa u bë gjithnjë e më i papëlqyer, veçanërisht pasi një agjent i inteligjencës italiane u vra nga forcat amerikane në 2005. Berlusconi u përball gjithashtu me kritika ndërsa ekonomia e vendit vazhdonte të binte.

Pas rezultateve jo të mira të koalicionit të tij në zgjedhjet rajonale të vitit 2005, Berlusconi dha dorëheqjen pavarësisht se fitoi një mocion votëbesimi në parlamentin Italian. Në vitin 2006 Berlusconi rikandidoi për t'u rizgjedhur në postin e kryeministrit, por koalicioni i tij u mund nga një bllok i qendrës së majtë i cili kryesohej nga Romano Prodi.

Megjithatë vetëm 2 vite më pas, në maj të vitit 2008, Berlusconi fitoi  një mandat të tretë si kryeministër i Italisë.

Ai u largua nga detyra e kryeministrit në vitin 2011 pasi mbi të u ngritën disa akuza penale që përshinin evazionin fiskal. Një tjetër akuzë mbi ish-kryeministrin italian lidhet me çështjen Bunga-Bunga ku Berlusconi akuzohej se kishte paguar një prostitutë 17-vjeçare për të kryer marrëdhënie seksuale me të. Në një betejë ligjore disa vjeçare kreu i “Forca Italia” u shpall i pafajshëm pasi, sipas provave, ai nuk  dinte se kishte të bënte me një minorene. Në shkurt të vitit 2023 Berluconi doli i pafajshëm edhe nga akuzat se kishte paguar rreth 24 dëshmitarë që të jepnin dëshmi të rreme në Gjykatë mbi festat e tij të shfrenuara që njihen me  termin “Bunga Bunga”.

Karriera politike e Berlusconit ka qënë e mbushur me skandale të ndryshme duke nisur që nga aferat e tij të shumta sa i përket jetës personale dhe deri tek akuzat për mashtim tatimor.

Pas pezullimit që pati nga Gjykata për ta ndaluar që të mbante poste publike, Berlusconi u rikthye sërish në politikë. Në vitin 2022 ai u zgjodh si Senator në Senatin Italian pas 9 vitesh ndërsa partia e tij “Forca Italia” bën pjesë në koalicionin aktual qeverisës të Italisë me kryeministre Georga Meloni.

Silvio Berlusconi ishte babai i 5 fëmijëve nga dy martesat e tij të mëparshme, teksa në media qarkullonin lajme se ai do të bëhej sërish baba me fëmijë binjakë nga partenja e tij Marta Fascina.