AKTUALITET, 18 Dhjetor 2025, 09:15

Kryeministri Rama publikon pamje nga Samiti i BE me Ballkanin Perëndimor: Videokartolinë nga Brukseli

Kryeministri Rama publikon pamje nga Samiti i BE me Ballkanin Perëndimor:

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot më 18 dhjetor 2025, pamje nga Samiti i Ballkanit Perëndimor, që u zhvillua në Bruksel, ku liderët e rajonit u takuan me ato të Bashkimit Europian.

“Mirëmëngjes dhe me këtë video-kartolinë të ditës së djeshme të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, ju uroj një ditë të paqtë sot”, shkruan Rama.

Dje, më 17 dhjetor, u mbajt Samiti i BE-së me shtetet e Ballkanit, ku kryeministri shqiptar Edi Rama ka marrë mbështetje nga krerët e Brukselit për anëtarësimin e Shqipërisë brenda vitit 2030 në familjen evropiane.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në deklaratën e tij vlerësoi veçanërisht përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke i cilësuar si vende që po udhëheqin procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri shqiptar zhvilloi gjithashtu një takim me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas. Në përfundim të samitit, liderët evropianë miratuan një deklaratë të përbashkët, por nuk u mbajt konferencë për shtyp, ndërsa Serbia nuk ishte e pranishme në këtë takim me vendet e rajonit.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, theksoi se zgjerimi i BE-së përbën një element kyç për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit gjeopolitik të Evropës, duke nënvizuar se është momenti që Unioni të zgjerohet dhe që qytetarët evropianë të binden se ky proces është përfitim i ndërsjellë për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor.

Nga ana e tij, kancelari austriak Christian Stocker shprehu kënaqësinë për hapat përpara që po ndërmarrin vendet e rajonit, veçanërisht Mali i Zi dhe Shqipëria, për të cilat tha se kanë perspektivë reale për anëtarësim të afërt në Bashkimin Evropian.

Mungesa e Serbisë në samit u cilësua si shqetësuese nga kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili njëkohësisht riafirmoi mbështetjen për integrimin sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE. Sa i përket Kosovës, u theksua se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të përbëjnë një test të rëndësishëm për thellimin e reformave dhe forcimin e angazhimit në rrugën drejt anëtarësimit evropian.