AKTUALITET, 17 Dhjetor 2025, 22:39

Spiropali: Shqipëria, qartësi strategjike për të kontribuar si e barabartë në BE

Spiropali: Shqipëria, qartësi strategjike për të kontribuar

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u takua në Greqi me ambasadorët e vendeve mike të akredituar në Greqi dhe ambasadorët e akredituar në Shqipëri me rezidencë në Greqi, personalitete të jetës publike greke, gazetarë, analistë.

Gjatë bashkëbisedimit, Spiropali theksoi qartësinë strategjike të Shqipërisë për të kontribuar si një anëtare e barabartë në tryezën europiane, duke nënvizuar angazhimin e vendit për reformat, bashkëpunimin rajonal dhe forcimin e rolit të Shqipërisë në familjen europiane.

Ministrja vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme nga vendet partnere që kanë vendosur integrimin e Ballkanit Perëndimor në krye të agjendave të tyre gjatë Presidencave të Bashkimit Europian, duke e cilësuar këtë mbështetje si thelbësore për historinë e suksesit të Shqipërisë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.

Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë zyrtare në Athinë.

Vizita nisi dje në Presidencën greke, ku Spiropali u prit nga Presidenti i Republikës, Konstantinos Tasoulas.

Më pas, Spiropali pati në një takim dypalësh me homologun e saj, Gerapetritis, ku u diskutua mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, mbështetja e e Greqisë për integrimin europian të Shqipërisë dhe avancimi i bashkëpunimit strategjik në rajon.

Pas takimit dypalësh, ministrat mbajtën një deklaratë të përbashkët për shtyp.

Mëngjesin e ditës së dytë, Spiropali zhvilloi takime me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Dendias, dhe me përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrjeve që operojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë, për të diskutuar potencialin e bashkëpunimit ekonomik.

Spiropali, zhvilloi sot edhe një takim me komunitetin shqiptar në Athinë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjes me rrënjët dhe kulturën shqiptare jashtë vendit.