AKTUALITET, 16 Dhjetor 2021, 13:24

Korrupsion e shpërdorim detyre me inceneratorët, gjykata lë në burg Lefter Kokën

Korrupsion e shpërdorim detyre me inceneratorët, gjykata lë

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka.

Pas 90 minutash seancë, trupa gjykuese u tërhoq dhe mori vendim për ish-ministrin Koka duke e vlerësuar si të ligjshëm caktimin e “arrestit me burg”, masë e kërkuar nga SPAK.

Lefter Koka mbërriti të enjten rreth orës 11:05 në GJKKO për t’u njohur me masën e sigurisë, dy ditë pas arrestimit.

Mësohet se Lefter Koka ka shprehur para gjykatës sot se “kam zbatuar ligjin” dhe ka mbajtur qëndrim mohues për akuzat e ngritura ndaj tij.

 Akuzat e ngritura nga SPAK për personat nën hetim janë: “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Prokuroria e Posaçme thotë se ka provuar që procedura e dhënies se koncesionit dhe lidhja e kontratës për inceneratorin e Elbasanit ka qenë në shkelje të ligjit si dhe në kundërshtim me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.