TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Rikthimi në punë i mësuesit Engjëll Bregu, i cili 18 vite më parë u dënua për ngacmim seksual të një të miture, është kthyer në temë debatesh në Parlament, mes deputetes së LSI Erisa Xhixho dhe ministres së Arsimit Evis Kushi.
Xhixho kërkoi parandalim të ngjarjeve duke theksuar nevojën e regjistrit kombëtar për të dënuarit për krime seksuale.
Ndërkaq, ministrja Kushi u shpreh e hapur për propozimin, duke shtuar se biseduar me Ministrin e Drejtësisë që disa vepra të rënda penale të mos fshihen nga dëshmia e penalitetit.
Xhixho: Një mësues i dënuar për ngacmim seksual dhe pedofili në 2003 është rikthyer në sistemin arsimor dhe është emëruar mësues në Berat. Pyetja për secilin prej nesh është mbi çfarë kriteresh është bërë rekrutimi i Engjëll Bregut i dënuar për pedofili? Si është e mundur që një person që ka marrë një vendim të formës së prerë të bëhet pjesë e sistemit arsimor. Ky rast tregon korrupsionin e sistemit arsimor. Ky rast tregon sa të vonuar jemi për miratimin e ligjit për regjistrin kombëtar të grabitqarët seksual.
Kushi: Theksoj edhe një herë para jush, para prindërve sa e rëndësishme është jo vetëm të rrisim cilësinë e arsimit, por të garantojmë mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve. Në lidhje me pyetjen e parë, më lejoni të theksoj që edhe shqetësimi ynë ka qenë shumë i lartë për këtë ngjarje. Unë vet kam dënuar ashpër publikisht që në momentin e parë emërimin me kontratë të këtij mësuesi. Personi është larguar menjëherë nga detyra, 4 ditë pas lidhjes së kontratës. Nisëm menjëherë një hetim administrative për gjetjen e personave përgjegjës që kanë lejuar punësimin e tij. Sipas informacioneve që kemi marrë, Engjëllush Bregu ka filluar punë që në vitin 1980. Në vitin 2003 pas ngjarjes së ndodhur ky mësues është proceduar penalisht dhe dënuar me 7 muaj heqje lirie. Por gjykata nuk i ka hequr të drejtën e ushtrimit të profesionit. Së fundmi zyra arsimore Berat e ka emëruar me kontratë të përkohshme. Mësuesi nuk është rikthyer sot në punë, por ka qenë vazhdimisht pjesë e sistemit arsimor. Ajo që ne na shqetëson më shumë është cilët janë mekanizmat për të garantuar mbrojtjen e nxënësve nga individë që mund të përbëjnë rrezik. Nis nga detyrimi ynë për sigurinë e fëmijëve në shkolla në 1 dhjetor firmosa udhëzimin që ndalon aplikimin për punë të personave të dënuar, për kryerjen e një vepre penale ndaj të miturve dhe institucioneve arsimore. Çfarë ndodh me personat e dënuar më parë nga gjykata, që me kalimin e kohës rehabilitohet? Personi dorëzoi dëshminë e penalitetit ku rezultonte i padënuar. Kodi Penal parashikon rehabilitimin e një personi të dënuar. Pikërisht për këtë kam biseduar me Ulsi Manjën që të ndërmarrim një iniciative ligjore që disa vepra të rënda të mos fshihen asnjëherë nga dëshmia e penalitetit. Ose të gjejmë një mekanizëm tjetër, këtu jam e hapur të pres sugjerimet e tuaja, sepse mbrojtja e fëmijëve duhet të kapërcejë interesin partiak. Edhe për regjistrin që keni propozuar, nëse ndihmon, do të kërkoja të votojmë sa më parë.
Xhixho: Kjo nuk ishte përgjigjja që unë prisja. Duhet ta pranojmë që ne reagojmë pasi ndodhin ngjarjet dhe nuk ndërtojmë mekanizma parandalues para se ngjarjet të ndodhur, ndonëse unë vlerësoj deklaratën e znj.ministre për regjistrin.