BALLKAN, 9 September 2026, 11:50

Konstituimi/ Seanca, Albulena Haxhiu rizgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës. Ja disa nga nënkryetarët e propozuar

Albulena Haxhiu është rizgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Në seancën e sotme konstituive, Glauk Konjufca i Lëvizjes Vetëvendosje propozoi emrin e saj për kryetare të Kuvendit.

Ajo mori 62 vota pro, 16 kundër, ndërsa 13 veta abstenuan.

Haxhiu, e cila ushtron edhe postin e presidentes në detyrë nga 5 prilli, do të vazhdojë të mbajë këtë detyrë deri në zgjedhjen e kreut të ri.

Albulena Haxhiu ishte kryetare e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit, e cila u shpërnda më 1 korrik 2026.

Ndërkohë me vazhdimin e seancës, Vetëvendosje ka propozuar gjakovarin Ardian Gola për nënkryetar ndërsa PDK Vlora Çitakun. Përfaqësuesit e komunitetit serb nga ana tjetër propozuan Slavko Simiç.

Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të propozojë deputetin Kujtim Shala për postin e nënkryetarit të Kuvendit në seancën konstituive që mbahet sot.

Sipas burimeve të Telegrafit, kandidatura ende nuk është zyrtarizuar, por pritet të bëhet publike gjatë seancës. Shala ishte një nga gjashtë deputetët e LDK-së që kundërshtuan marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje për mbështetjen e kandidaturës së Bekim Sejdiut për president.