AKTUALITET, 9 September 2026, 11:05

Korçë/ Mbyllet takimi, zbulohen 4 porositë që kryepolici Hita u la vartësve: Droga, siguria në shkolla e në rrugë dhe krimi kufitar

Ka përfunduar takimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hitaj, me strukturat e DVP Korçë.

Në qendër të mbledhjes ka qenë siguria në shkolla, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor dhe masat që duhet të marrë policia për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Hitaj ka kërkuar nga strukturat angazhim për të shtuar kontrollet në perimetrin e sigurisë të institucioneve arsimore. Një tjetër pikë diskutimi ka qenë parandalimi i shpërndarjes së lëndëve narkotike në shkolla, duke rritur bashkëpunimin e policisë me drejtoritë arsimore dhe institucionet e tjera.

Hitaj dha porosi edhe për intensifikimin e luftës ndaj krimeve ndërkufitare, duke kërkuar hetime të plota dhe angazhim për goditjen e rasteve të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.

Sa i takon sigurisë rrugore, Hitaj kërkoi përdorim më të gjerë të teknologjisë, duke reduktuar kontrollet e mjeteve në akset rrugore.

Në përfundim të takimit, kreu i Policisë së Shtetit kërkoi nga strukturat vendore intensifikim të luftës ndaj aktivitetit të grupeve kriminale.

Një ditë më parë, Kryepolici ishte në Shkodër, ku shprehu pakënaqësi ndaj strukturave të Drejtorisë Vendore, ndërsa iu kërkoi më shumë punë në luftën ndaj krimit dhe kultivimit të lëndëve narkotike.