AKTUALITET, 3 Mars 2022, 17:08

Kim dhe Soreca takim me Celibashin tri ditë para zgjedhjeve të 6 marsit: Kandidatët të pasqyrojnë respekt te shqiptarët

Kim dhe Soreca takim me Celibashin tri ditë para zgjedhjeve të 6

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim dhe Ambasadori i BE Luigi Soreca u takuan sot me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve në Shqipëri Ilirjan Celibashi për të shprehur, përpara zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, mbështetjen për rolin kritik të KQZ-së në administrimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Në fjalën e saj gjatë takimit Kim nënvizoi mbështetjen e SHBA-së për të drejtën themelore demokratike të qytetarëve për të votuar sipas vullnetit të tyre, në qetësi, pa kërcënime apo nxitje të panevojshme. Ajonxiti KQZ-në që të ushtrojë përgjegjësitë e saj në përputhje me ligjin dhe normat ndërkombëtare, përfshi verifikimin e kualifikimit të kandidatëve.

Gjithashtu ajo vuri në dukje përgjegjësinë e udhëheqësve politikë për të siguruar që kualifikimet dhe cilësitë e kandidatëve të tyre pasqyrojnë respekt për votuesit shqiptarë dhe statusin e Shqipërisë si aleate në NATO dhe aspirante për në BE. Shtetet e Bashkuara mbeten mbështetëse të palëkundura të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, ndërsa ata punojnë për një demokraci më të fortë dhe një të ardhme më të begatë.