AKTUALITET, 3 Maj 2022, 23:22

“Kërkesë e tyre dhe dëshirë e jona”- Zbulohen detajet si u arrit lidhja e Presidentit të Ukrainës me Parlamentin e Shqipërisë

“Kërkesë e tyre dhe dëshirë e jona”- Zbulohen

Këtë të martë Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky iu drejtua me një mesazh Parlamentit të Shqipërisë, ku falënderoi vendin tonë për qëndrimet që ka mbajtur në raport me Rusinë.

Por si u arrit lidhja me presidentin e Ukrainës? Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tregoi detajet e komunikimit.


Në emisionin “Opinion”, Spiropali tha se ka qenë një kërkesë e palës ukrainase, por edhe një dëshirë e Parlamentit shqiptar që Zelensky të mbante një fjalim. Realizimi për të mbajtur fjalimin u realizua me anë të komunikimeve të vazhdueshme të ambasadorit te Ukrainës në vendin tonë.

“Në një komunikim me ambasadorin e Ukrainës këtu, i cili ka qenë aktiv në komunikim me ne, vendosëm të komunikojmë me ta për një lidhje të presidentit. Ishte dhe kërkesë e tyre dhe dëshire e jona. Lindi nga një komunikim dhe u realizua. Vëmendja e Shqipërisë ka qenë e padiskutuar për çështjen e Ukrainës. Shqipëria ka marrë një rol që është përtej përmasës së vendit tonë. Ambasadori përmes lidhjeve dhe komunikimit me ministrinë e Jashtme e mundësoi lidhjen në raport me ne”, tha Spiropali.