AKTUALITET, 15 Prill 2025, 14:52

“Ka ardhur koha që shteti të financojë në kompani dhe të marrë përfitime”, Rama zbulon bisedën me Mira Muratin

“Ka ardhur koha që shteti të financojë në kompani dhe

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, vizituan sot kompaninë RITECH, një model suksesi në fushën e teknologjisë së informacionit.

Gjatë bashkëbisedimit me stafin, Rama theksoi se ka ardhur koha që shteti të përfshihet drejtpërdrejt në financimin e kompanive teknologjike, jo vetëm për t’i ndihmuar, por edhe për të përfituar. Ai tregoi se ka diskutuar këtë ide edhe me ish-drejtuesen shqiptare të OpenAI, Mira Murati.

“Ka ardhur koha që të hyjmë nëpër kompani, që shteti të financojë dhe të përfitojë. Ashtu siç fola me Mira Muratin, i thashë: a është e mundur të hyjmë edhe ne? Më tha patjetër, madje më tha se tre shtete të tjera e kanë bërë tashmë një ofertë të tillë,” tha Rama.

Ai shtoi se mbështetja për startup-et është thelbësore, veçanërisht në fazat e para të zhvillimit, kur ideatorët kanë vizionin, por mungesë burimesh për ta realizuar.

Kryeministri ndau gjithashtu detaje nga biseda me Muratin, duke i kërkuar ndihmë për dy sfida madhore të Shqipërisë: përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe luftën kundër korrupsionit.

“I thashë, do ta ndihmosh Shqipërinë të futet në BE? Ajo kujtoi se po bëj humor, por e kisha seriozisht. Mund të na ndihmosh që të përshpejtojmë përkthimin dhe përafrimin e 250 mijë faqeve të legjislacionit. E dyta, i kërkova ndihmë për të luftuar korrupsionin, veçanërisht në prokurime. Edhe pse kemi ndërtuar një sistem më transparent, është ende manual dhe ka nevojë për përmirësim,” u shpreh Rama.

Fokusi i qeverisë, tha ai, do të jetë investimi në sektorët që gjenerojnë zhvillim të qëndrueshëm, ku teknologjia është në qendër të vëmendjes.