AKTUALITET, 17 Nëntor 2025, 14:50

“Ju dekonspironi operacionet për t’i mbrojtur bandat”, Klevis Balliu akuzon drejtorin e Policisë së Shtetit për kapje nga krimi

“Ju dekonspironi operacionet për t’i mbrojtur bandat”,

Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, akuzoi sot Drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, se ka kthyer policinë në “vegël të krimit dhe mburojë të bandave”.

Në momentet më të nxehta të seancës, në Komisionin e Sigurisë, Balliu i tregoi Prodës dosjen famëkeqe "Metamorfoza", duke e quajtur provën më të qartë të kapjes së strukturave të policisë nga krimi i organizuar.

“Kjo dosje fakton përfundimisht kapjen e policisë nga krimi. Operacionet dekonspirohen nga brenda. Ju keni hallin e bandave, jo të shtetit.”

Balliu e akuzoi Proden se mbron interesat e grupeve kriminale. 

“Ju keni frikë mos preken bandat, jo mos preken qytetarët. Për monopatinat dilni me 4 furgona. Në aeroport nuk gjendej polici as me satelit”.

Duke iu referuar atentatit të fundit në Aeroportin e Rinasit, Balliu akuzoi drejtuesin e policisë për mungesë totale të reagimit. Ai theksoi se mënyra si autorët vranë, u larguan, dogjën makinën dhe zhdukën gjurmët brenda 1 ore e 30 minutash tregon degradim të plotë të rendit publik.

Balliu u ndal te Porti i Durrësit, duke e quajtur “pikën më të errët të sigurisë kombëtare”.

“Kartelët bëjnë namin. Durrësi nuk kap asnjë gram kokainë, tani ka ardhur edhe Sinaloa. Nën drejtimin tuaj, Durrësi nuk kap asnjë gram kokainë, ndërkohë që Europa flet për rolin e Shqipërisë në trafikun ndërkombëtar. Tani ka ardhur edhe Sinaloa.”

Ai akuzoi Proden se ka lehtësuar aktivitetin e grupeve kriminale:

“Troplini në Durrës, Suel Çela në Elbasan e të gjithë kartelët kanë marrë kartabiankë nën drejtimin tuaj. Ata kontrollojnë shefa komisariatesh dhe efektivë, sepse kanë lidhje me kupolën, me ju.”

“Policia merret me lokalet, ndërsa rrugët janë mbushur me gjak”

Balliu i cilësoi aksionet e policisë “folklorike dhe qesharake”, ndërsa krimi i organizuar vepron i paprekur:

“Mafia ka gjithçka në dorë. Ju merreni me lokalet a kanë zënë rrugën, por bandat po i marrin frymën shtetit.”

Ai deklaroi se policia është kthyer në instrument politik dhe mbulesë e krimit: 

“Policia është vegël e pushtetit dhe në shërbim të krimit. Arrestuat Ilir Metën si terrorist, ndërsa bandat i paralajmëroni”.

Balliu kujtoi edhe deklaratën e SPAK-ut, duke perifrazuar Dumanin, që sipas tij ka thënë: policia juaj nuk zbaton urdhrat e arrestit për grupet e rrezikshme.”

Seanca u shoqërua me tone të ngritura dhe replika të ashpra. Sipas Balliut, Proda shmangu përgjigjet për shumë prej akuzave, ndërsa tensioni u bë i ndjeshëm në sallën e Komisionit.