AKTUALITET, 25 Nëntor 2022, 10:09

I njohur si i “tmerrshmi” i Beratit, autoritetet greke rrëzojnë kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Lulzim Cakës

I njohur si i “tmerrshmi” i Beratit, autoritetet greke

Autoritetet greke kanë rrëzuar kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Lulzim Cakës, i njohur si “i tmerrshmi” i Beratit. Lajmi konfirmohet nga gazetarja Klodiana Lala. 

Motivi për vrasjen e fundit, për të cilën u akuzua Lul Caka, është supozuar hakmarrja, e cila, sipas Policisë, ka nisur qëkur një vëlla i tij mbeti i vrarë nga rivalët e vëllezërve Caka, të identifikuar si fisi i çamëve të Fierit.

Më pas, vdes dhe i ati i tyre, shkak për vdekjen e së cilit u bë hidhërimi nga humbja e të birit. Ngjarja më e dhimbshme ndodh më 1 korrik të vitit 1999, kur e ëma e Lul Cakës, Xhevria, vritet në mënyrë tragjike. Fill pasi e kishte takuar Lulin në burgun e Fierit, ajo rrëmbehet nga disa persona, të cilët kaluan rrëmbimthi me makinë. Më pas ajo gjendet e masakruar në periferi të qytetit.

Për Policinë këto ngjarje e kanë bërë më të egër Lulzim Cakën, por nuk kanë qenë këto që e kanë bërë të tmerrshëm. Emri i tij mësohet se është regjistruar në dosjet e Policisë që prej vitit 1995, kur në Sematicë ai qëllon mbi disa policë, të cilët kishin rrethuar banesën e tij.

Aksioni përfundon pa realizuar kapjen e Cakës, me të cilin bashkohet edhe një pjesë e bashkëfshatarëve të tij. Më tej, në shkurt të vitit 1999, ai që sot mban vulën “i tmerrshmi” përballet me Edmond Kosenin, shefin e atëhershëm të Policisë së Lushnjës.

Banda e Karbunarës, në të cilën bënte pjesë edhe Caka, hap zjarr mbi Policinë, duke lënë të plagosur njërin nga policët. Forcat e shumta nga radhët e bluve arrijnë të shoqërojnë në Polici një numër të madh personash, ndërsa Lul Caka shpëton. Rasti i fundit, ku Caka tregon forcën e tij me Policinë, ka qenë 25 marsi i vitit 1998.