AKTUALITET, 25 Nëntor 2022, 08:43

Mungoi në votim, Rama përshëndet dritën jeshile për Portin e Durrësit në Kuvend: Motor i jashtëzakonshëm ekonomik për mbarë Shqipërinë

Mungoi në votim, Rama përshëndet dritën jeshile për

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur votimin pro për miratimin Projektit të Portit të Durrësit, dy orë pas mesnate. Përmes një postimi në Facebook, ai shprehet entuziast për zhvillimin ekonomik që ky Port do t’i sjellë vendit tonë.

“MIRËMËNGJES

dhe me kënaqësinë e hapjes me votën e mbrëmshme PRO të rrugës për ndërtimin e Portit të Turistik, që do të jetë një motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kreu i qeverisë në Facebook.

Pas një seance të maratonë të shoqëruar me debate të nxehta, që ka zgjatur mbi 14 orë, Parlamenti ka miratuar mbrëmjen e djeshme Projektin e Portit të Durrësit. Projekti u votua me 74 vota pro dhe 35 kundër, ndërkohë që kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm.

Kryeministri Edi Rama tha dje në Kuvend se socialistët janë të vendosur e nuk do të tërhiqen nga projekti i Portit të Durrësi, madje ai u shpreh se mezi po pret të vijë momenti kur ta votojnë, por iku.

Seanca e djeshme u shoqërua me debate të ashpra dhe akuza nga ana e opozitës, e cila e konsideron projektin e Portit të Durrësit si një nga aferat më të mëdhaja.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama në një fjalim të gjatë mbrojti këtë projekt, duke thënë se është historik, ndërsa nuk i kurseu ofendimet ndaj opozitës.

Berisha nga foltorja e Parlamentit u tha qytetarëve shqiptarë se qeveria ka ndjekur të njëjtën skemë si me inceneratorët edhe për Projektin e Portit të Durrësit.

“Këtu është një model absolutisht copy paste i krijimit të ndërmarrjes së dytë më të madhe të Edi Ramës si ajo e djegsave. Djegësit me portin Marina Bay janë diametralisht të kundërta, por në praktikë janë si një pikë ujë e ndarë në dysh. Njësoj si në rastin e djegësve bëhet një procedurë e super përshpejtuar.

Agaçi i djegësve mblodhi 17 akte me procedurë të përshpejtuar. Edhe këtu të gjitha janë me procedurë të rrufeshme të përshpejtuar, sepse hajduti mendon se me shpejtësi mund të humbë gjurmët e tij. Të dyja shkelin çdo ligj, çdo procedurë, çdo Kushtetutë dhe çdo akt ndërkombëtar. Të dyja zhvillohen pa garë, me fitues të paracaktuar, me financime nga offshore.

Njëlloj si me djegësit, në të cilën dalin Gugallet, Mërtirët si maskë e Edi Ramës. Edhe këtu kemi skemë identike. 4 herë ndryshon emrin sipërmarrja që do të votoni ju sot. Ç’është kjo? Janë maska që Edi Rama vë për të fshehur vjedhjen që bën”, tha Berisha.