AKTUALITET, 4 Maj 2023, 17:59

“I keni parë deklaratat e VIP-ave? Marrin para nga taksat tuaja”, Meta: Në 61 bashki Rama ka përdorur vetëm fytyrën e tij në postera, do të bien si matrioshkat ruse

“I keni parë deklaratat e VIP-ave? Marrin para nga taksat

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta e ndali turin e tij sot në një takim me banorë të kryeqytetit, në zonën e Ali Demit, ndërsa theksoi se 14 maji do të bëjë kalimin nga korrupsioni absolut në transparencë absolute.

Ai tha se kjo garanci do të vijë përmes kryetarit të ardhshëm të bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi.

“Kandidati ynë do shkëlqejë si këshilltar i bashkisë së Tiranës me përkushtimin ndaj komunitetit. Tirana sa vjen e rritet e ka nevojë për një menaxhim tjetër që nis më 14 maj me votën tuaj. Në një ditë kalohet nga korrupsioni absolut në transparencë absolute. Garanci për këtë përveç kandidatit të ardhshëm zotit Këlliçi, janë edhe anëtarët e këshillit të ri bashkiak.

Keni parë deklaratat e vipave sot? Nuk jetojnë në Fresk e Astir, jetojnë jashtë vendit dhe marrin shuma të majme nga taksat tuaja, me të cilat mund të bëheshin kopshte e çerdhe.

Duan të kthejnë përmbys sistemin. Në 14 maj Tirana do bëjë zgjedhjen e saj të mençur, sepse e tillë është. Nuk mund të zgjedhë më të votojë për shfaqë të shëmtuara që mbi të gjitha kushtojnë shumë. Në 61 bashki Rama ka përdorur vetëm fytyrën e vet në postera, do të bien si matrioshkat ruse”, ka deklaruar ai.