AKTUALITET, 4 Maj 2023, 14:51

Skema Kombëtare 2023, nis shpërndarja e kartave të naftës për fermerët

Skema Kombëtare 2023, nis shpërndarja e kartave të naftës

Nisin disbursimet e para për skemën e naftës. Në vijim blegtoria, serrat, prodhimi organik, ndërtimi tregjeve, bletaria etj. Fermerët në zyrat rajonale të bujqësisë kane nisur sot procesin e marrjes se kartave për naftën falas për punimet e mekanizuara në bujqësi.

Interesi për këtë skemë është gjithnjë e më i lartë pasi ka rezultuar një ndër skemat më të suksesshme të mbështetjes të aplikuara nga qeveria shqiptare. Skema e mbështetjes me naftë ndihmon drejtpërdrejt fermerët dhe makineritë e tyre bujqësore, prodhimin vendas, punimin e tokës dhe kultivimin e bimëve në serra, frutorët.

Qëllimi i kësaj mase është ulja e kostove për fermerët dhe rritja e rendimentit të prodhimit.
Sipas AZHBR-së, interesi i fermerëve për të përfituar nga Skema Kombëtare është tejet i lartë dhe kjo falë mbështetjes financiare për këtë sektor, që ka qenë çdo vit në dispozicion të tyre. Skema e mbështetjes për naftë falas, vijon për të tretin vit radhazi me një buxhet prej 1.4 miliardë lekë.

Kjo skemë është pjesë e skemës kombëtare të mbështetjes në bujqësi. Fondi total i Skemës Kombëtare të mbështetjes në bujqësi që do të shpërndahet gjatë këtij viti është 3.3 miliardë lekë dhe do të financohen në total 9 masa.