AKTUALITET, 17 Prill 2025, 11:56

"Henrikun e thërrisja Baftjar"/ Dumani: Me Alibej kontaktova dhe në paraburgim, kishim SKY ECC! Suel Çela porositi ekzekutimin e Mashës për 200 mijë euro!

"Henrikun e thërrisja Baftjar"/ Dumani: Me Alibej kontaktova dhe

Po mbahet sot seanca e radhës e dosjes “Plumbi i artë”, teksa vijon dëshminë i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani.

Bashkëpunëtori i drejtësisë tha se me Erjon Alibej, i akuzuar si kreu i një prej organizatave kriminale në Elbasan, kishte folur edhe pasi u arrestua, në paraburgimin e Elbasanit, ku u mbajt fillimisht.

Ai kishte SKY ECC, por më pas e humbi telefonin kur e transferuan në burg tjetër. “Henrikut ia dhashë porosinë në telefon, pastaj ka ardhur të më takojë, për vrasjen e Lulëzim Mashës. Henrikut i ofrova 160 mijë euro, e pagova 10 mijë kapar, 10 mijë më duket i mbajta për vete”, tha Dumani.

Por Henrik Hoxhaj u shpreh në kundërshtim:

“Është marrë porosia për vrasjen e djalit të Lulëzim Mashës, nuk u gjet ai. Dhe vajtëm te i ati në nënyrë që ai të vinte në varrim. Nuredin Dumani ma solli mesazhin me screenshot nga “sakati”, Aleksandër Baho. E kam shprehur këtë në deklarimet e mia”.

Dumani vijoi më tej rrëfimin e tij:

“Me Suel Çelën më ka lidhur një miku im në Durrës, Fatmir Troplini, pasi Sueli çonte Xhino Rrokën të merrte mall tek këta. Pseudonimet e mia në Sky ECC ishin “Alkatraz”, “Covid 19” dhe “Toto Rino”. Henrikut ia kisha vënë emrin “Baftjari”, nuk e di si e ka pas. Porosinë e mora për të goditur Lulëzim Mashën. Vazhdimisht kam komunikuar me Henrikun, disa muaj përpara ngjarjes, mesi ose fillimi i 2021.

Më ka takuar Aleksandër Baho disa herë. Një herë erdhi në Kosovë me CLS, njëherë me Audi A4 dhe njëherë me Audi me targa angleze. Herën e fundit ndjenji një ditë me mua. Porosinë për Lulëzim Mashën ma dha Suel Çela për persona të tjerë. Kemi komunikuar vazhdimisht bashkë nga 2021. Me Suelin u njoha përmes Fatmir Troplinit. Ky ka qenë kontakti. Suel Çela ka rrahur Arben Lazen. E mora përsiper porosinë e Suelit për interesin. Fillimisht m’u premtuan 150 pastaj 200 mijë euro”, ka rrëfyer Dumani.

Dëshmitë e tij kanë tronditur jo pak botën e krimit, duke goditur 8 organizata kriminale me të paktën 32 persona të dyshuar dhe jo vetëm, pasi janë zbardhur të paktën 12 vrasje në një dekadë dhe dhjetëra krime të tjera të paguara te skuadra e killerave që Dumani drejtonte.

Ai ka zbërthyer edhe platformat e koduara si Matrix, Sky ECC dhe BQ, ku kishte edhe pseudonimet e tij, teksa në pah kanë dalë edhe kontaktet me biznesmenë të njohur dhe takime me deputetë, për të kryer krime me pagesë, por emrat nuk janë bërë ende publikë.