AKTUALITET, 26 Prill 2025, 13:25

Guvernatori Sejko me FMN dhe Bankën Botërore në Uashington DC: Shqipëria po përjeton zhvillime ekonomike pozitive

Guvernatori Sejko me FMN dhe Bankën Botërore në Uashington DC:

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të zhvilluara në Uashington DC.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, Sejko zhvilloi një takim me Antonella Bassani, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, ku vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm, sidomos nëpërmjet mbështetjes teknike dhe projekteve të realizuara me FINSAC.

Guvernatori shprehu mirënjohjen për këtë partneritet dhe nënvizoi synimin për ta thelluar edhe më tej, duke vënë në dukje zhvillimet ekonomike pozitive në Shqipëri, të karakterizuara nga rritja e qëndrueshme, përmirësimi i financave publike, stabiliteti i tregjeve dhe forcimi i sektorit bankar.

Sejko theksoi se politikat monetare dhe financiare të Bankës së Shqipërisë mbeten të fokusuara në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe forcimin e qëndrueshmërisë financiare, ndërsa vuri në pah rëndësinë e reformave strukturore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.