TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Zëvendëspresidenti i CDI-së, Elmar Brok, në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me temën “Global She”, deklaroi se ndryshimi në Shqipëri është i domosdoshëm. Ai theksoi se Shqipëria nuk do të jetë pjesë e Bashkimit Europian në vitin 2030, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama se e ka kthyer vendin në një narko-shtet.
Në fjalën e tij, Brok vlerësoi rolin e grave shqiptare, duke përmendur emra të njohur si Albana, Jozefina dhe Jorida, të cilat sipas tij, janë shembull i forcës dhe vendosmërisë. Ai i inkurajoi ato dhe të gjitha gratë e angazhuara në politikë që të vazhdojnë të punojnë për modernizimin e vendit, duke shprehur bindjen se me rikthimin e Sali Berishës në krye, Shqipëria mund të sjellë reformën e vërtetë dhe ndryshimin e shumëpritur.
Sipas Brok, gratë duhet të mos kufizohen vetëm te roli tradicional i mbështetjes së familjes, por të udhëheqin sektorë të rëndësishëm si ekonomia dhe teknologjia. Ai theksoi se angazhimi real i grave në postet më të larta drejtuese është rruga e duhur për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të balancuar të shoqërisë.
Duke sjellë në vëmendje përvojën e Gjermanisë me Angela Merkel, Brok tha se një grua mund të udhëheqë me sukses edhe në kohë krizash të mëdha dhe se Europa ka nevojë për më shumë ndjeshmëri, përfshirje dhe vizion afatgjatë në politikën e jashtme, cilësi që gratë i sjellin në mënyrë natyrale.
Në fjalën e tij, Brok kujtoi edhe funeralin e Papa Françeskut, duke u ndalur te rëndësia e ndërtimit të një shoqërie të drejtë, të bazuar te drejtësia sociale dhe solidariteti, vlera për të cilat punoi edhe vetë Papa.
Elmar Brok kritikoi ashpër Edi Ramën për mosmbajtjen e premtimeve dhe për mosrealizimin e kushteve të nevojshme për integrimin europian. Ai u shpreh i bindur se me politikat aktuale të ndjekura nga qeveria, Shqipëria nuk do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian as në vitin 2030.
Në fund të fjalimit të tij, Brok theksoi se Partia Popullore Europiane është një forcë moderne politike që nuk i mbështet gratë vetëm me fjalë, por edhe me vepra, duke sjellë shembuj konkretë si Ursula von der Leyen dhe Roberta Metsola, të cilat mbajnë pozicionet më të larta në institucionet kryesore të Bashkimit Europian. Për Brok, suksesi ekonomik dhe ndërtimi i një shoqërie të drejtë janë çelësat për të ardhmen, dhe këtë ndryshim e shikon të mundur përmes angazhimit të grave dhe forcimit të vlerave konservatore në politikë.