AKTUALITET, 9 Qershor 2022, 15:12

Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Saimir Tahirit për lirimin nga qelia

Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Saimir Tahirit për

Gjykata e Lartë refuzon kërkesën dhe nuk pranon t’i pezullojë dënimin me burg Saimir Tahirit.

Ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili u dënua nga GJKKO për shpërdorim detyre, kishte kërkuar pezullim të dënimit me arsyetimin se është i rrezikuar nga subjektet e krimit.

“Mospranimin e kërkesës së kërkuesit Saimir Tahiri, për pezullimin e ekzekutimit të vuajtjes së dënimit me burgim, dhënë me vendimin nr. 3 datë 04.02.2022, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.

Në kërkesën e drejtuar për këtë Gjykatë, Tahiri deklaroi se vuajtja e menjëhershme e dënimit me burgim mund të sjellë pasoja të rënda për vetë të pandehurin, si dhe për familjen e tij.

Kjo, për shkak të funksionit të tij si ish-ministër mund të “rrezikojë dhe mund të bëhet objekt i personazheve të krimit që ndodhen duke kryer dënimin në IEVP Fier”.

Në të njëjtën kohë, Gjykata e Lartë ka në dorë shqyrtimin edhe të një tjetër kërkese të ish-ministrit Tahiri, për pafajësi.

Apeli i Posaçëm i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), më 4 shkurt të këtij viti, dënoi ish-ministrin e Brendshëm, me tre vite e katër muaj burgim, për veprën penale “Shpërdorim të Detyrës”.

Fillimisht, Tahiri u dënua me pesë vite burgim, por, për shkak të gjykimit të shkurtuar, do të vuajë tre vite e katër muaj burg.