AKTUALITET, 6 Tetor 2022, 16:05

GJKKO nxori nga qelia Alqi Bllakon, SPAK paralajmëron ankimimin e vendimit në Apel: Kërkesa e tij, e pabazuar në ligj dhe prova

GJKKO nxori nga qelia Alqi Bllakon, SPAK paralajmëron ankimimin e vendimit

Prokuroria e Posaçme SPAK nuk është dakord me vendimin e Gjykatës që e liroi nga qelia ish-deputetin e PS, Alqi Bllako, të enjten e 6 tetorit.

SPAK është shprehur për Euronews Albania se nuk ekzistojnë kushtet për ta liruar.

Prokuroria Speciale tha se do ta ankimojë vendimin e sotëm në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Gjatë seancës sot, SPAK kërkoi rrëzimin e kërkesës së bërë prej Bllakos si të pabazuar në ligj dhe në prova.

GJKKO e pranoi kërkesën e Bllakos për zëvendësimin e masës së sigurisë, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Alqi Bllako akuzohet nga prokuroria se ka falsifikuar dokumentin për llojin e tokës ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit.

Ata ia kanë paraqitur qeverisë sikur ndërtesa e inceneratorit do të bëhej në tokë truall.

SPAK ka provuar se ajo është ndërtuar në tokë arë, vlera e së cilës është më e lirë. Ky falsifikim i ka sjellë buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 140 mijë eurosh.