AKTUALITET, 31 Gusht 2022, 11:49

GJKKO merr vendim, shuhet masa e ‘pezullimit nga detyra’ për mjekun Edvin Prifti

GJKKO merr vendim, shuhet masa e ‘pezullimit nga detyra’ për

Mjeku i njohur kardiokirurg Edvin Prifti rikthehet të ushtrojë profesionin e tij 1 vit e 3 muaj pas pezullimit.

Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Posaçme, e cila ka vendosur rrëzimin e masës së “pezullimit nga detyra”.

Prifti po hetohet për korrupsion e pastrim parash.

“Për mua si mjek, të më lini jashtë sallës së operacioneve, është njësoj si të më merrni jetën. Nuk kam asnjë mundësi të prish prova, sikurse pretendon prokuroria. Kanë gati dy vite që po me hetojnë dhe kanë pasur kohë të marrin çdo provë. Mjeku nuk mund të prishë prova, duke operuar qytetarët për zemrën”.

Kështu kishte deklaruar para Gjykatës së Apelit të Posaçëm, ish-shefi i kardiologjisë në qendrën Spitalore Universitare, Edvin Prifti, duke kërkuar që kjo e fundit t’i shfuqizonte masën e pezullimit nga ushtrimi i profesionit.

Emri i Priftit doli në përgjimet e SPAK teksa po hetonte një rast korrupsioni në Gjykatën e Krujës, ku në pranga përfundoi ish-gjyqtarja Enkelejda Hoxha e prej asaj kohe, kardiologu po vijon një përballje të ashpër me drejtësinë.

Mjeku i specializuar në disa universitete të Perëndimit në fushën e tij dhe me një eksperiencë disa-vjeçare u pezullua për të dytën herë, pasi një çështje të re hetimore të çelur ndaj tij, ku u akuzua nga një qytetar se i kishte marrë një shumë parash për operacionin e nënës.

Dyshimet ishin se mjeku e kishte marrë valvulën në spitalin shtetëror dhe ia kishte vënë pacientes, por nga verifikimet e kryera në QSUT, ka rezultuar se nuk mungonte një e tillë dhe për rrjedhojë thanë avokatët pretendimi i prokurorisë ka rënë.

Megjithatë, gjykata nuk u tërhoq, duke e lënë në fuqi masën e pezullimit për mjekun deri në muajin gusht.