AKTUALITET, 6 Janar 2022, 23:18

Gazetari filmon aksionin, por dhunohet nga RENEA, SHÇBA nis hetimet

Gazetari filmon aksionin, por dhunohet nga RENEA, SHÇBA nis hetimet

Gazetari nga Shkodra, Simon Shkreli është dhunuar nga forcat e policisë, teksa ishte në krye të detyrës duke filmuar një aksion të forcave RENEA.

Në lidhje me këtë incident ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila thotë se Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano ka urdhëruar menjëherë Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për të nisur verifikimin e veprimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit.

“Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të rritur parametrat e sigurisë në vend, përfshirë kontrollet për të kapur personat që qarkullojnë të armatosur apo që posedojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike.

Duke vlerësuar fort rolin e medias në informimin e publikut dhe duke kërkuar mirëkuptimin e gazetarëve për të qenë bashkë në misionin për më shumë siguri, Policia e Shtetit dënon çdo akt dhe do të marrë masa për çdo kapërcim në ushtrimin e detyrës nga punonjësit e Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, lidhur me këtë incident edhe SHÇBA ka nisur verifikimet. Gazetari Shkreli ndodhet në ambientet e shërbimit, për të dhënë deklaratën e tij”, thuhet ne njoftim.