AKTUALITET, 27 Gusht 2023, 08:38

Gara për Bashkinë Kukës, PD do të mbajë sot primaret për të zgjedhur kandidatin mes demokratëve

Gara për Bashkinë Kukës, PD do të mbajë sot primaret

Këtë të dielë do të mbahen primaret nga partia e Rithemelimit, për të caktuar kandidatin i cili do të garojë në zgjedhjet e pjesshme më 24 shtator për Bashkinë Kukës.

Kryesia e PD ka përzgjedhur pesë emrat të propozuar nga baza e demokratëve të Kukësit të cilët i përmbushin kriteret për të marrë pjesë në primare. Gara brenda demokratëve do të zhvillohet mes Arif Rexhmati, Ardian Elezi, Emri Vata, Gezim Shehu dhe Ylber Zeneli.

Kryesia vendosi që të skualifikojë nga gara e primareve vetëm emrin e Uran Cengut, për mos plotësim të kritereve. Ndërkohë, Admir Sinamati, cili humbi në zgjedhjet e 14 Majit nën logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ka vendosur që të mos kandidojë për herë të dytë. Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, pasi të dali fituesi i primareve të PD do të nis punën për fushatën elektorale e cila fillon më 11 Shtator.

Partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhje duhet që të regjistrohen në KQZ deri më datën 1 Shtator, ndërsa koalicionet kanë mundësi të regjistrohen deri më 6 Shtator. Kandidatët e pavarur mund të regjistrohen më 8 Shtator.