TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Antonio Delilaj, vetëm 17-vjeç humbi jetën tragjikisht në lokalin e famshëm të natës në Sarandë, “Orange”. Antonio nga fshati Qafë-Gjashtë kishte nisur punën ende në moshë të mitur për të ndihmuar familjen, por jeta iu pre në mes në mënyrë të tmerrshme. Tëksa transportonte koli uji në ashensorin e lokalit u këput kavoja, duke e goditur fatalisht në kokë.
Një qytetar i cili ishte i pranishëm në klubin e natës, bëri të ditur se ata ishin duke pritur këngëtarët të dilnin në skenë, por stafi filloi të bërtiste e më pas erdhi ambulanca.
"Ishte shumë e dhimbshme po prisnim te dilnin këngëtarët në skena kur filluan duke bërtitur stafi. Erdhi ambulanca e nxorën të shkretin pa jetë... gjynah djali ri"- thotë një dëshmitar te JOQ.
Policia e Sarandës ka vënë në pranga teknikun që kishte montuar ashensorin e mallrave, Lulëzim Allkushi, i dyshuar për ”shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”. Ndërsa në kërkim është shpallur pronari i “Orange Club” Spiro Iljadhi.
Ngjarja tragike ka ndodhur rreth orës 01:15 të 26 gushtit në lokalin e Iljadhit. Nga hetimet ka rezultuar se Antonio Delilaj po merrte disa koli me ujë nga bodrumi per tek bari dhe ndodhej brenda ashensorit kur është këputur njera nga kavot e ashensorit. Goditja e fortë në kokë i ka shkaktuar vdekje të menjëhershme.
Rastet kur ashensorët pësojnë defekte nuk janë të pakta në vendin tonë. Përgjegjegjës për kolaudimin e tyre është Inspektorati Shtetëror i Mbrojtjes së Tregut. Në rastin konkret ende s’ka të dhëna nëse ashensori kishte apo jo çertifikatë sigurie. Hetimet për këtë ngjarje të rëndë dhe nxjerrjen e përgjegjësve vazhdojnë nga policia e prokuroria e Sarandës.
Inspektorët e ISHMT janë në terren për të bërë verifikimet përkatëse të pajisjes që ka shkaktuar aksidentin, por ende nuk kanë një raport përfundimtar nëse ashensori i përmbushte parametrat e sigurisë teknike dhe nëse ka qenë apo jo i kolauduar.
Ndërsa pronari i lokalit, një person me precendent, Spiro Iljadhi është shpallur në kërkim, pasi nuk është gjetur në lokal në momentin e aksidentit.
Spiro Iljadhi njihet si biznesmen në zonë dhe është pronar i lokalit mjaft të frekuentuar 'Orange" në Sarandë, që njihet dhe si vendi i festës së natës që frekuentohet nga shumë të rinj dhe ka të ftuar special këngëtarët më të njohur në vend. Ndërkohë ai rezulton pronar edhe i Orange Pizza & Grill Lounge" në Ksamil. Iljadhi njihej gjithashtu edhe me emrin Ermal Iljazi, ndërsa shkurt thirrej 'Ero'. Më 20 qershor të vitit 2021, Spiro Iljadhi mbeti i plagosur afër lokalit të tij, pasi u qëllua me breshëri automatiku nga 3 persona, vëllezërit Andrea dhe Visi Caushi dhe shoku i tyre Redjan Hadëri.