AKTUALITET, 18 Maj 2025, 11:57

Gara mes socialistëve/ Xhaçka ia merr mandatin Gjylametit me dy vota, Qefalia mbetet jashtë Kuvendit

Gara mes socialistëve/ Xhaçka ia merr mandatin Gjylametit me dy

Numërimi te Parku Olimpik i Tiranës “Feti Borova” për votat e diasporës së Greqisë ka vijuar deri orët e vona të natës, teksa komisionet kanë marrë edhe pushim në mëngjes për shkak të lodhjes.

Ndryshimi më i fortë sipas tabelës zyrtare të KQZ-së,  është përmbysja pak pas mesnate që deputetja Olta Xhaçka i bëri koleges Blerina Gjylameti në garën brenda PS në Tiranë, për listën e hapur, për vendin e vetëm që luftohej në kuotën gjinore.

ish-ministrja, pas numërimit të votave të diasporës së Greqisë për qarkun Tiranë, rezulton se arriti të fitonte vetëm me 2 vota diferencë. Por do pritet kalkulimi, përgatitja e tabulateve të rezultatit dhe konfirmimi zyrtar nga KQZ.

E njëjta gjë edhe për garën tjetër brenda PS, ku Ornaldo Rakipi arriti ta mbante diferencën me rreth 200 vota nga Xhemal Qefalia në qarkun e Tiranës.

Sipas tabelave zyrtare të KQZ-së, janë numëruar dhe referuar 192 155 zarfe me vota të emigrantëve për zgjedhjet e 11 majit, nga 195 141 që ka qenë numri total.

Deri tani partia Socialiste ka fituar 114 126 vota, ose 60,06% dhe Partia Demokratike 46 009 vota, ose 24,21%. Diferenca e votave mes dy partive të mëdha ka kaluar mbi 68 mijë vota në favor të PS-së.

Në shkallë vendi (duke llogaritur diasporë dhe qarqe) PS gjithashtu ka një diferencë shumë të thellë me mbi 312 mijë vota nga demokratët. Aktualisht socialistët kanë një total me mbi 840 mijë vota, kurse demokratët 528 mijë vota.