AKTUALITET, 11 Maj 2023, 21:39

"Fushata nuk solli asgjë të re!"/ Sejamini: Kandidatët nuk trajtuan problemet e vërteta që kanë qytetet tona

"Fushata nuk solli asgjë të re!"/ Sejamini: Kandidatët

Neritan Sejamini ka analizuar fushatën elektorale, duke e quajtur atë thjesht konfirmim të status quos, të sipërfaqshme dhe të ricikluar nga fushatat e mëparshme. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Sejamini deklaroi se kandidatët nuk folën për problemet reale të qyteteve. 

"Ana pozitive është që ka qenë fushatë e qetë, pavarësisht se kishte disa ngjarje kriminale në fillim por nuk mund të themi se ishin të lidhura me fushatën. Nuk ka patur shumë zhurmë, shumë reklamë, më duket gjë pozitive. Ndoshta shenjë qytetarie, ose shenjë se nuk ka patur shumë garë në shumë vende.

Kjo ka qenë fushatë e status quos, nuk ka sjellë asgjë të re, nuk ka patur ide të reja, vizione të reja. Edhe propozimet për problemet, janë të vjetra, të ricikluara. Është pjesë e status quos, është fushatë ku janë përplasur udhëheqësit kryesore, përplasje e fortë politike me sharje dhe akuza. Ka qenë e njëjta gjë, sepse të dyja palët janë përqëndruar te bazat e tyre.

Mazhoranca ka mobilizuar administratën, militantët. Por edhe opozita të njëjtën gjë ka bërë, është rrotulluar te baza e vetë.

Të dyja palët kanë propozuar zgjidhje si të përdorin parata tona, propozime mekanike, me idenë që kemi disa para dhe si mund ti përdorim. Nuk ka patur trajtim të problemeve të vërteta që kanë qytetet tona, problemet e mëdha ekonomike dhe urbane, mënyrë e re e kuptimit të problemeve dhe zgjidhje e tyre. Ka qenë sipërfaqësore. 

Pëeshembull zoti Beci thoshte do ta bëjë të bukur hyrjen e Shkodrës. Se çfarë lidhje ka hyrja e Shkodrës me Shkodrën e izoluar ekonomikisht, por ai këtë thotë. Nuk them se nuk ka vlerë, por nuk ka asgjë të re. Opozita vazhdon thotë ulje taksash, subvencionim, është e njëjta fushatë e përsëritur.