AKTUALITET, 19 Prill 2023, 20:20

Emri i Metës në fletën e votimit dhe jo i Berishës/ Bardhi pas vendimit të KAS: U rrëzua shkelja e Celibashit

Emri i Metës në fletën e votimit dhe jo i Berishës/ Bardhi

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me vendimin e KAS që rrëzoi kërkesën e Partisë së Lirisë për të pasur emrin e Berishës si kryetar të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.

Bardhi e ka konsideruar tentativë kamikaze vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi për të mos vendosur një emër në fletën e votimit, krah emrit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Sipas Bardhit, KAS, me vendimin për të lënë emrin e Ilir Metës në fletën e votimit dhe jo të Sali Berishës, rrëzoi shkeljen e Celibashit, për të cilin thotë se është i shantazhueshëm.

“Tentativa e Ilirjan Celibashit për të fshehur në fletën e votimit faktin se me votat e demokratëve po synohet të fuqizohet Ilir Metaj u rrëzua si antiligjore nga KAS. Kjo është një tjetër shkelje nga Kreu i KQZ, ku u faktua se një njeri i shantazhueshëm është gati të bëjë akte prej kamikazi vetëm që ti nënshtrohet pengmarrësit të tij. Keqardhje sesi hallet i shndërrojnë profesionistët në kamikazë të së keqes!”, shkruan ai.