TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Debati presidencial mes Kamala Harris dhe Donald Trump, i konsideruar si historik për nga rëndësia, përfundoi jo mirë për ish Presidentin, i cili pasi kishte mundur në debatin e kaluar Joe Biden, e nisi me vetëbesim, por nuk zgjati shumë dhe u u zhyt në retorikë të ashpër, depresive dhe u kap disa herë duke gënjyer, madje me deklarata aq të pabesueshme sa një ditë më pas rrjetet sociale kanë shpërthyer dhe nuk po ndalen nga batutat.
Harris e dinte cilat pika donte të theksonte dhe plani ishte thuajse perfekt. Ajo e bëri debatin të përqendrohej tek Trump, në mënyrën më të keqe të mundshme për ish presidentin. Fushata e kishte armatosur Harris-in me një seri "grackash", duke shpresuar që Trump nuk do të rezistonte për t'i aktivizuar ato. Jo vetëm që Trump ra në grackë, por ai ra edhe në disa nga grackat e veta dhe nuk doli dot prej tyre.
Harris e sfidoi Trump-in që në fillim të debatit, duke shkuar tek ai dhe duke i shtrënguar dorën, duke treguar edhe vizualisht se nuk kishte frikë të shihej si më e vogël në krahasim me Trump.
"Emigrantët po hanë qentë dhe macet e komshinjve", ishte deklarata e pavërtetë që bëri menjëherë xhiron e mediave dhe rrjeteve sociale. Deklarata u përgënjeshtrua gjatë debatit dhe moderatorët cituan autoritetet në Springfield, të cilët e hodhën poshtë këtë pretendim, por ekipi i Trump pas debatit është xhindosur, që moderuesit e debatit verifikuan këtë deklaratë.
Trump edhe pasi u përgënjeshtrua, i qëndroi deklaratës duke thënë se e ka dëgjuar një gjë të tillë në televizion.
Një tjetër deklaratë e Trump që u hodh poshtë nga moderatorët, ishte pretendimi absurd se demokratët duan të legalizojnë abortin pas lindjes, që në fakt nuk është më një abort por vrasje. Aborti ishte edhe një nga pikat ku Harris bëri diferencën, duke treguar disa nga shembujt më të dhimbshëm se si ndalimi i abortit shkakton dramë te gratë e përdhunuara dhe raste të tjera, që e bënë Trump të dukej i pandjeshëm.
Ish Presidenti përsëriti se aborti është një çështje për të cilën duhet të vendosë çdo shtet vetë, por përtej kësaj nuk pati ndonjë deklaratë për problematikat që adresoi Harris dhe me të cilat përballen shumë gra.
Debati i ndezur paraqiti një tablo të një ish-presidenti të zhgënjyer që dëshiron të rikthehet në epokën e tij dhe një nënpresidente që flet për shpresë dhe optimizëm dhe që kërkon me ngulm një të ardhme ndryshe.
“Mos gaboni, Trump pati një natë të keqe,” tha Brit Hume në Fox News.
Ndërkohë që Harris prezantoi politika të qarta dhe të drejtpërdrejta për ekonominë, emigracionin, abortin dhe më shumë, ish-presidenti ra pre e provokimeve të saj. Ai foli për “krimin e emigrantëve”, pretendime të rreme për abortet e vonshme, inflacionin, gjyqet e tij penale dhe zgjedhjet e vitit 2020 – të gjitha tema që ai i përmend në konferenca për shtyp dhe tubime. Në disa momente gjatë debatit, Harris qeshi, rrotulloi sytë dhe e shikoi me intensitet ndërsa ish-presidenti përgjigjej ndaj pyetjeve.
Në mes të debatit, Harris provokoi ish-presidentin duke përmendur me përçmim madhësinë e tubimeve të tij, një pikë e ndjeshme për Trump dhe egon e tij, duke sugjeruar se njerëzit po largoheshin herët “nga lodhja dhe mërzia”.
Ish-presidenti e përdori menjëherë kohën e tij për të pohuar se tubimet e tij ishin më të mëdha dhe më të mira se ato të Harris. “Njerëzit nuk largohen nga tubimet e mia, ne kemi tubimet më të mëdha, tubimet më të pabesueshme në historinë e politikës,” tha Trump.
Kur Harris përmendi gjyqet penale të Trump-it, ai ra përsëri në grackë dhe nisi të akuzojë administratën Biden dhe Harris për shënjestrimin e tij.
Nënpresidentja përmendi republikanët që kanë mbështetur fushatën e saj, ndërsa Trump u përgjigj duke tentuar të ulë rëndësinë e tyre, duke pretenduar se “i pushova shumicën e atyre njerëzve”.
Harris thuajse e ftoi Trump-in të shprehte një neutralitet të habitshëm mes Rusisë dhe Ukrainës dhe më pas argumentoi se, me Trump-in në pushtet, Putin do të ishte ulur në Kiev dhe do të kërcënonte Poloninë, duke theksuar se në Pensilvani ka qindra mijëra amerikanë me prejardhje polake. Edhe këtë herë, Trump ra në grackë dhe retorika e tij u duk sikur ishte një mbështetje dhe mbrojtje e Putin.
Por ajo që e "goditi" ndoshta më fort ish presidentin, ishte Harris kur po përsëriste faktin që ai tani po garon me të dhe jo me Joe Biden, ndërkohë që Trump vijonte të sulmonte politikat e Biden. Harris u distancua nga Biden, duke e lënë Trump të duket si një kandidat që po lufton akoma me Biden, sepse e ka më të thjeshtë të merret me të dhe jo me kandidaten reale.
Debati u mbyll me deklarata të përgjithshme të kandidatëve, por edhe aty analistët vlerësuan se mesazhi i Harris për optimizëm, e mundi atë të Trump, të mbushur me negativitet.
Ky mendohet se do të jetë debati i vetëm për kandidatët. Fushata e Harris ka kërkuar një debat të dytë, por nga kampi i Trump nuk ka ende një përgjigje. Ish Presidenti, pavarësisht sondazheve, deklaroi se ai e ka fituar debatin.