AKTUALITET, 19 Prill 2023, 21:02

Ekzekutimi i biznesmenit në Shëngjin, detajet e vrasjes së 50-vjeçarit nga makina e blinduar te precedentët e mëparshëm penalë

Ekzekutimi i biznesmenit në Shëngjin, detajet e vrasjes së
Ardian Nikulaj

Ditën e sotme një ngjare e rëndë ka tronditi Shëngjinin, ku u ekzekutua me armë zjarri Ardian Nikulaj. Biznesmeni 50-vjeçar kandidonte në zgjedhjet e 14 majit për anëtar të Këshillit Bashkiak në qytetin e Lezhës, në siglën e PSD.

Nikulaj ishte pronar i disa bizneseve në zonën e Lezhës dhe të Shëngjinit, midis tyre edhe i lokalit ‘Koral’, pranë portit të qytetit, aty ku u qëllua edhe mesditën e sotme, në orën 13.30, nga një person i maskuar, i cili në momentin e ekzekutimit, hyri në lokal, i veshur me uniformë shërbimi ngjyrë blu dhe mbi të, mbathur një jelek fosforishent.

Me shumë gjasa, një kamuflim, si ato që përdoren nga motoristët që shërbejnë në delivery, apo shërbimet me porosi. Personi sipas policisë, qëlloi 6 herë mbi Nikulaj, me pistoletën TT të drejtuar nga tavolina ku ai qëndronte, ku 2 nga plumbat thuhet se rezultuan fatalë për jetën e tij dhe e qëlluan viktimën në prani të kamarierit, një roje sigurie dhe të vjehrrit të tij, i cili pa i tronditur të gjithë skenën e krimit.

Sipas dinamikës paraprake të ndërtuar nga grupi hetues, autori që qëlloi mbi biznesmenin, thuhet të ketë mbërritur në lokalin e Nikulaj, nga qyteti i Shkodrës.

Ai mendohet të ketë udhëtuar aty me një motoçikletë dhe të ketë qenë i vetëm. Sipas skemës së ndërtuar të ngjarjes, ai ka hyrë nga një derë anësore e lokalit dhe pasi ka kryer krimin, është larguar nga një derë e dytë e restorantit, po me mjetin motoçikletë me të cilin mbërriti, çka rrit dyshimet te policia se ai veproi i vetëm.

Në momentin e vrasjes, sipas të dhënave, ndodhej edhe një nga bashkëshortet e Nikulaj, e cila në momentin e ekzekutimit ishte në kuzhinë, ku edhe punonte. Viktima ishte i martuar dy herë dhe nga këto martesa kishte katër fëmijë, dy vajza dhe dy djem.

Por kush ishte Ardian Nikulaj dhe a ka lidhja vrasja e tij me fushatën e fundit zgjedhore, ku ishte kandidat për anëtar të Këshillit Bashkiak në Lezhë?
Sipas të dhënave që ka mundur të sigurojë emisioni ‘Në shënjestër’, Nikulaj kishte qenë edhe më herët i përfshirë në fushatë, ai ishte kreu i Partisë Social Demokrate, parti e drejtuar nga ish-deputeti Tom Doshi.

Në vitin 2021, Nikulaj, kandidoi si deputet në siglën e PSD, për qarkun Lezhë, por pa mundur të fitojë, ndërsa në këto zgjedhje ai kandidonte për anëtar të Këshillit Bashkiak në qytetin e Lezhës, po në siglën e PSD.

Ardian Nikulaj mësohet se kohët e fundit qarkullonte me makinë të blinduar, pasi ishte kthyer nga emigracioni ku kishte jetuar për një kohë të gjatë, ai kishte nisur investimin në zonën e Lezhës, kryesisht në ndërtim dhe biznese të tjera.

Ai figuronte më herët i arrestuar për disa vepra penale, më konkretisht në vitin 2003 ai mësohet se ishte dënuar me katër muaj heqje lirie për armëmbajtje pa leje, kurse në vitin 2006 me gjobë për kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh. Ai ishte i njohur si biznesmen dhe për lidhjet e tij me politikën lokale.

Ai thuhet se ka shërbyer si ndërmjetës për shuarjen e një konflikti midis ish-deputetit socialist Arben Ndoka dhe Aleksandër Dedës, personazhit të njohur si Leksi i Druve, pajtim që sipas rregullave u bë në kishë, ku palët u betuan që nuk do kishin më konflikte me njëri-tjetrin.

Ndërkohë Ardian Nikulaj, njihej edhe për miqësinë e tij me të tjerë emra të njohur nga policia, por edhe pse për grupin hetues është shumë herët për të dalë në një përfundim se cila është pista e vrasjes së biznesmenit 50-vjeçar, ato duket se do të ndalen te aktiviteti i tij kontrovers, midis biznesit, politikës dhe lidhjes me personazhe të botës së krimit,

Sipas të dhënave që disponon emisioni ‘Në Shënjestër’ në News 24, një tjetër pistë e qëndrueshme është ajo e një konflikti të mbartur në kohë. Në vitin 2010, Ardian Nikulaj, ka humbur një vëlla, i cili thuhet se u ekzekutua nga fisi Palaj, që ishte në një konflikt të hapur gjakmarrje me atë Nikulaj. Gjakmarrje e cila vazhdoi edhe më tej në kohë, ku fisi Palaj humbi dy pjesëtarë të tij, edhe pse këto vrasje thuhet se nuk u zbardhën kurrë.

Por edhe pse ishte kreu i PSD në Lezhë, parti e lidhur me të majtën dhe vetë kandidonte për këtë sigël si këshilltar bashkiak në këtë qytet, ai thuhet se mbështeste kandidatin e koalicionit ‘Bashkë fitojmë’ të drejtuar nga Meta dhe Berisha, për bashkinë e Lezhës, Pashk Gjoni.