AKTUALITET, 14 Tetor 2022, 20:18

Dyfishohen emigrantët e parregullt në Ballkanin Perëndimor

Dyfishohen emigrantët e parregullt në Ballkanin Perëndimor

Rruga e Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë rruga më aktive e emigracionit për në vendet e Bashkimit Europian pohon një raport i sapopublikuar i Organizatës Evropiane të Kufijve FRONTEX që u referohet të dhënave të migrimit për nëntë muajt e vitit 2022.

Sipas raportit vetëm në shtator u evidentuan 19.160 persona, dy herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Raporti vlerëson se numri i lartë i kalimeve të paligjshme kufitare në shtator mund t’i atribuohet përpjekjeve të përsëritura të kalimit nga emigrantët tashmë të pranishëm në Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria është pjesë e Rrugës Ballkanike ku emigrantët e parregullt hyjnë nga Greqia dhe udhëtojnë drejt vendeve perëndimore duke kaluar drejt Malit të Zi apo përmes Portit të Durrësit për në Itali.

Tendenca të emigrimit të paligjshëm janë shfaqur edhe përmes hapësirës detare nga Vlora në brigjet italiane.

Për t`iu përgjigjur presionit të lartë të emigrimit, Frontex ka vendosur më shumë se 2360 oficerë dhe staf në seksione të ndryshme të kufirit të jashtëm të Bashkimit Evropian, si dhe në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Moldavi.

Sipas përllogaritjeve paraprake në nëntë muajt e parë të këtij viti, janë evidentuar rreth 228 mijë hyrje të parregullta në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian me një rritje prej 70% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Totali i emigrantëve të parregullt regjistruar për nëntëmujorin nga janari deri në shtator të vitit 2022 është më i larti që nga viti 2016.

Siaps raportit personat që ikin nga Ukraina dhe hyjnë në Bashkimin Evropian përmes pikave të kalimit kufitar nuk janë pjesë e shifrave të hyrjeve të paligjshme të zbuluara.

Sipas të dhënave të fundit të Frontex, më shumë se 11 milionë shtetas ukrainas kanë hyrë në Bashkimin Evropian nga Ukraina që nga fillimi i luftës. Në të njëjtën kohë, një numër i konsiderueshëm shtetasish ukrainas janë kthyer në vendin e tyre.

Raporti përmend edhe një rritje të kalimit për në Britaninë e Madhe përmes Kanalit të La Manshit.

Në nëntë muajt e parë të vitit 2022, numri i migrantëve të parregullt ishte rreth 53 mijë me një rritje prej 68% krahasur në të njëjtën periudhë të vitit 2021, duke përfshirë përpjekjet dhe kalimet me varka të vogla.

Me afrimin e dimrit, numri i përpjekjeve mund të rritet përpara se kushtet e detit të përkeqësohen dhe ta bëjnë kalimin më të rrezikshëm pohon raporti.

Sipas statistikave zyrtare britanike që u referoheshin 6 muajve të parë të vitit 2022, emigrantët nga Shqipëria, Afganistani dhe Irani përbënin më shumë se gjysmën e totalit të përgjithshëm të emigrantëve të parregullt që hynë në Britani me gomone, nëpërmjet kanalit të La Manshit.

Sipas të dhënave, 18% e emigrantëve të parregullt ishin shqiptarë, numri i të cilëve është rritur ndjeshëm dy vitet e fundit./ VOA