TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK),ku ka qëndruar rreth një orë. Arsyet pse ka qenë në SPAK nuk dihen ende, por ai është përfolur s ii implikuar në dosjen gjigande të inceneratorëve, për të cilën dy administratorë janë shpallur në kërkim, ish-ministri Lefter Koka është në burg dhe ish-deputeti Alqi Bllako u lirua nga gjykata me masë “arrest shtëpie”, pak ditë më parë.
PD dhe LSI, sot Partia e Lirisë, e kanë akuzuar Agaçin se ka bërë shkelje ligjore me vetëdije të plotë në rolin e tij si sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, duke udhëhequr praktikat për inceneratorin e Elbasanit dhe më pas edhe të atyre të Fierit dhe Tiranës.
Sipas akuzës së PD-së, në datën 11.11.2014, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka i drejton një shkresë Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) duke i kërkuar dhënien e mendimit lidhur me projektvendimin për procedurën e dhënies me koncesion të inceneratorit të Elbasanit, në procedurën përzgjedhëse ME NEGOCIM PA SHPALLJE PARAPRAKE TË NJOFTIMIT TË KONTRATËS.
Vetëm 6 ditë pas shkresës së parë, në datën 17.11.2014, ministri Koka i drejton sërish një shkresë APP-së duke kërkuar dhënien e mendimit për projektvendimin e sipërcituar.
Një ditë më pas, në datën 18.11.2014, APP i kthen përgjigje ministrit Koka, duke cituar nenin 22, pika 3 të ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik/privat”, sipas të cilit për dhënien e koncesioneve/PPP mund të përdoren vetëm njërën nga tri procedurat: PROCEDURËN E HAPUR, PROCEDURËN E KUFIZUAR DHE PROCEDURËN ME NEGOCIM ME SHPALLJE PARAPRAKE TË NJOFTIMIT TË KONTRATËS.
Duke qenë se procedura e propozuar nga ministri Koka, “ME NEGOCIM PA SHPALLJE PARAPRAKE TË NJOFTIMIT TË KONTRATËS” nuk bënte pjesë tek asnjëra prej procedurave të parashikuara nga ligji për koncesionet dhe prokurimet publike, APP i kërkon ministrit që procedura të kryhet në përputhje me parashikimet ligjore. Për dijeni të këtij informacioni është vendosur edhe Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, ËNGJËLL AGAÇI, që ka qenë plotësisht në dijeni se procedura e propozuar ishte në kundërshtim me ligjin.
Megjithëse, Agaçi ka qenë i vetdijshëm për shkeljen flagrante të nenit 22 të ligjit për konçesionet, ai i ka paraqitur Qeverisë për miratim Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 907, datë 17.12.2014 për miratimin e sigurimit të financimit për kontratën koncesionare të inceneratorit të Elbasanit. Madje, paligjshmëria arrin deri aty sa në përmbajtje të këtij vendimi thuhet se “Autoriteti Kontraktues…ka shpallur procedurën…”, në një kohë kur ishte mëse e qartë se nuk kishte pasur asnjë shpallje dhe procedura e ndjekur ishte haptazi anti-ligjore.
Sipas PD-së, për të kuptuar paligjshmërinë e veprimeve të Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, duhet të analizojmë kompetencat e tij që rregullohen sipas ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”. Konkretisht, neni 9 parashikon se Sekretari i Përgjithshëm i KM ushtron, ndër të tjera, kompetencat si vijon: c) KTHEN NË BAZË TË ARGUMENTEVE LIGJORE, PROJEKTAKTET E PARAQITURA PËR SHQYRTIM, KUR ATO BIEN NË KUNDËRSHTIM ME KUSHTETUTËN OSE LIGJIN.
“Ëngjëll Agaçi pra, do të duhej t’i kishte kthyer për shqyrtim projektvendimin Ministrisë së Mjedisit, duke qenë se nuk ishte në përputhje me ligjin. Duke mos vepruar kështu, ai ka shkelur ligjin dhe duhet të mbajë përgjegjësi. Prandaj, sot me të drejtë qytetarët që kanë ndjekur seancën e djeshme të Komisionit Hetimor të Inceneratorëve, ku vetë drejtoresha e APP-së, Reida Kashta dëshmoi se procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit nuk ekziston”-thuhej në akuzën e PD-së”-argumentonte PD, një vit më parë.
Edhe për LSI-në, sot Partia e Lirisë, Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrit Ëngjëll Agaçi është një nga aktorët kryesor në aferën e inceneratorit të Elbasanit. Sipas ish-kryetares Monika Kryemadhi, Agaçi, megjithëse haset me refuzimin e Agjencisë së Prokurimit Publik për procedurën për inceneratorin e Elbasanit me vetëdije të plotë shkel ligjin.
“Ligji, e përcakton qartë që Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrit është përgjegjës për hartimin e rendit të ditës së mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Duke shfrytëzuar këtë komptencë, Ëngjëll Agaçi pasi është në dijeni nga APP e cila kundërshton procedurën e ndjekur ‘Negocim pa shpallje’ e fut në rendin e ditës së Këshillit të Ministrave, jo lidhjen e kontratës por faturën financiare të kontratës. Pra, miratohet fatura financiare pa u vënë në dijeni të kushteve financiare të saj. Për këtë shkelje, jo vetëm në inceneratorin e Elbasanit, por edhe atë të Tiranës Ëngjëll Agaçi duhet të ishte para drejtësisë”-shprehej Kryemadhi.
Gjatë dëshmisë në komisionin Hetimor Parlamentar për inceneratorët, në shkurt 2022, ndërsa pyetej se kush ishte emergjenca që duhej procedura e përshpejtuar për inceneratorin e Elbasanit, Agaçi përgjigjej: "Është sistemi elektronik i akteve që mundëson një shpejtësi në proces dhe me vënien në funksion të këtij sistemi që është risi për administratën, pikërisht falë kësaj teknologjie nga viti 2010 deri në 2013 janë publikuar dhe miratuar me dhjetëra vendime me procedurë të përshpejtuar. Nuk po them se në ato vite është bërë një procedurë e paligjshme. Ishte në informacionin tonë që qyteti i Elbasan ndodhej në një situatë emergjente të shpallur nga Bashkia dhe natyrisht kishte një interes publik për qytetarët. Nuk është urgjenca apo interesi publik që prevalon në këto procedura, por fondalmentale është që akti të plotësojë të gjitha kriteret dhe akti në fjalë i plotëson të gjitha kriteret".