AKTUALITET, 7 Mars 2022, 22:53

"Duhet urgjentisht të largohet Lulzim Basha"/ Deputeti Alizoti: U bëj thirrje kolegëve, mbani qëndrim!

"Duhet urgjentisht të largohet Lulzim Basha"/ Deputeti Alizoti: U
Foto ilustrim: Lulzim Basha dhe Tomorr Alizoti

Deputeti i Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti, ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku u diskutuan zgjedhjet e pjesshme lokale dhe humbja dramatike e Lulzim Bashës. 

Alizoti tha se Basha duhet të largohet urgjentisht nga PD dhe u bëri thirrje kolegëve deputetë të mbajnë qëndrim. 

"Duhet urgjentisht largimi i Lulzim Bashës. Mendoj dhe jam i bindur, se deputetët që mbështesin Bashën, bëjnë një akt kriminal politik. Nuk ka sens më. Nëse ka dalë i treti edhe në Vorën e famshme ku ka patur katër mandate dhe ka përfunduar me 600-700 vota. Si do të shkosh në zgjedhje nesër? 

Flas për elektoratin dhe demokratët që janë rrugëve.

Në Shqipëri rrezikohet pluralizmi. U them kolegëve, mbani qëndrim politik!", tha Alizoti. 

Ai propozoi që PD-në ta drejtojë një kolegj, për të krijuar kushtet e një gare dhe për të nxjerrë një lider të denjë. 

"Në PD pas një figure si Berisha, nuk do ta mbledhë më njeri. Kam menduar një tezë, që PD më mirë të ketë një biçim kolegji, sa të kalojë fazë tranzicionale. Tani është në një krizë të thellë. Duhet të përplaset fortë dhe të krijojë një lider. PD nuk ka sot një figurë të tillë", tha Alizoti.