AKTUALITET, 26 Maj 2025, 22:52

“Duhet të nisë analiza e brendshme”, Adriana Kalaja rendit problemet që çuan te humbja e PD-së në 11 maj

“Duhet të nisë analiza e brendshme”, Adriana Kalaja rendit

Adriana Kalaja, kryetare e Gjykatës së Apelimit në PD dhe kandidate për deputete në Qarkun e Tiranës në listën e hapur, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, renditi disa nga problemet e PD, para mbajtjes së zgjedhjeve të 11 majit dhe tha se duhet të nisë analiza e brendshme. Ndërsa analisti Baton Haxhiu tha se Kalaja është ndoshta njeriu i parë në PD që ka prekur atë që quhet thelbi i problemit të zgjedhjeve në parti.

Pjesë nga biseda

Adriana Kalaja: Për mua, përpos faktit që doktor Iliri e tha, u futëm me rezultat 2-0 kundër, përfshirë jo vetëm Kodin Zgjedhor, për të cilën PD duhet të vërë përballë përgjegjësisë ata që e propozuan. E dyta, vota e diasporës, prej dy vitesh e kam ngritur shumë fort problemin e votës së diasporës. Nëse mban qëndrim që brenda Shqipërisë, nuk ka drejtësi dhe polici, si mund të kontrollosh votën jashtë këtij territori? Thua jemi në regjim dhe diktaturë dhe merr përsipër të votojnë disa njerëz që nuk po kontrollohet dot vota brenda Shiqipërisë. Edhe mënyra si u bënë primaret, jam ngritur në mbledhje dhe kam thënë të mos bëhen sepse krijoi konflikt brenda .
Po kështu, kjo është këmbana e alarmit. Në një kohë që ka 50 deputetë PD dhe them se këtu duhet filluar analiza, pa lënë mënjanë masakrën zgjedhore, në 50, 43 janë deputetë të emëruar, duke përfshirë këtu edhe aleatët. Deputetë të votuar janë vetëm 7 persona, këtu fillon dhe duhet të mbarojë analiza. Jo vetëm më zhbërjen e kodit, por me marrjen e masave që të mos shkojmë në këtë mënyrë.
Ndryshe nga ajo që deklarohet, mendoj se PD, krahas denoncimeve që ka filluar të bëjë, duhet të nisë analizën e brendshme.

Baton Haxhiu: Është ndoshta njeriu i parë në PD që ka prekur atë që quhet thelbi i problemit të zgjedhjeve. Dha disa elemente që një parti normale i shtron në tavolinë dhe prek arsyet e humbjes. E pashë logjikën e artikulimit të zonjës Kalaja dhe nuk kam çfarë t’i heq. E admiroj për guximin në atë që kërkon prej PD-së në të ardhmen. Ajo nuk e emëroi një fajtor, por emëroi fajësinë për votat ose 43 deputetët në listë të mbyllur dhe 7 të tjerë që kanë dalë nga lista e hapur. Fakti që është e tillë, janë dy elemente që zonja Kalaja tha, e para te primaret, që e quajti gabim për arsye se PD nuk ka qenë e gatshme të hyjë edhe në konflikt të brendshëm dhe e dyta vota e diasporës, për të cilën fajësinë e ka Oerd Bylykbashi personalisht.
Ajo që ka qenë gabimi i PD, që e kam patur debat me zotin Oerd dhe i kam thënë që është gabim serioz sidomos për një parti me përvojë dhe vendos të fusë diasporën në votim pa patur një analizë se çfarë sjell ajo.
Si keni toleruar listat e mbyllura, që kanë njerëz luajal ndaj kryetarit dhe ai mund t’i emërojë në postë të caktuara, por jo të deputetit ku ata nuk përfaqësojnë të djathtën? Ju i prekët këto probleme, janë shumë serioze për një parti me përvojë kaq të gjatë.

Adriana Kalaja: Unë këtë propozim kisha, ose në primare të futen të gjithë, ose nuk ka pse disa të futen dhe disa jo. Për këtë arsye propozova një nen tranzitor që e njeh ligji. Unë si kryetare e gjykatës, është më e rëndësishme të ndryshohet statute për arsye objektive dhe thashë ne të mos e fusim partinë në një përçarje tjetër. Për mua si jurist dhe kryetare e gjykatës së partisë, është më e ndershme të ndryshohet statute sesa të shkelet. Unë kam votuar kundër primareve. Prej gati dy vitesh kam bërë betejë shumë të gjatë për votën e diasporës. Në 2023 kam kërkuar nga drejtuesit, duke përfshirë edhe Bylykbashin, t’i drejtoheshin GJK me kërkesë për zhbërjen e vendimit, sepse vota e emigrantëve nuk u miratua me këtë vendim, ky është puç kushtetuese sepse GJK shkel Kushtetutën dhe merr në konsideratë një shoqatë të huaj.