AKTUALITET, 26 Maj 2025, 21:27

Kartelet e drogës/ Abilekaj: Pushteti favorizon krimin! Haxhiu: E vështirë të ndalohen kartelet në vendet e vogla

Kartelet e drogës/ Abilekaj: Pushteti favorizon krimin! Haxhiu: E

Në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, është diskutuar për goditjen e SPAK dhe autoriteteve italiane ndaj një grupi të fuqishëm në Durrës që trafikonte lëndë narkotike dhe dyshimet për ndikimin e tyre në zgjedhje. 

Analisti Enton Abilekaj ngriti pikëpyetje për faktin që njerëzit e rëndësishëm të grupit janë arratisur, ndërkohë që shtoi se pushteti bashkëpunon me krimin dhe u jep atyre benefite, si leje ndërtimi. 

Ndërsa analisti Baton Haxhiu tha se goditja e karteleve të drogës në vende të vogla është e vështirë, ndaj për këtë aktivizohen edhe vendet e mëdha, kur këto kartele bëhen problematike për këto vende. 

Pjesë nga biseda: 

Enton Abilekaj: Është e kotë të diskutojmë kur e kanë vendosur (SPAK dhe italianët), por nëse është vendosur nga të dyja palët... Ngaqë nuk janë gjetur këta, Visi i Pojës, mund të ketë dyshime për dekonspirim. SPAK nuk varet nga Prokuroria italiane, por është strukturë e ndërtuar në Shqipëri. Aktiviteti kriminal nuk lidhet me kur zbulohet në Itali. Ne duhet ta zbulojmë në Shqipëri. Ne e dinim në Shqipëri se çfarë bënte ky grup. Duhet ta bënte me Italinë që të arrestoheshin këta?
Nëse ne tregojmë se pas strukturave që u krijuan dhe reformave, nuk luftojmë dot krimin, mos të merremi me reforma kot, të binjakëzohemi me prokuroritë e botës.

Baton Haxhiu: Krime të cilat kanë të bëjnë me vrasje dhe janë fizike, janë të lehtë të identifikohen, por kartelet e drogës e kanë një histori të bashkëveprimit të tyre, sepse në vendet e vogla, nuk kanë fuqi dhe instrumente për ti ndaluar, sepse funksionojnë jashtë perimetrit të një vendi të vogël, kjo është histori e të gjithë botës. Këto krime ndalohen në shtetet e mëdha, perandoritë, që kanë përvojë të jashtëzakonshme. Këto janë organizmat e fortë ushtarakë që mbrohen përmes ushtrive të vogla të tyre. Shtetet e vogla shumë rrallë, ose nuk e fitojnë dot luftën me kartelet e drogës.
Kur këto bandat bëhen problem dhe vendet e tjera ndërtojnë rrjetin e tyre shtetëror për ti ndaluar. Edhe SHBA ka bazat në secilin shtet dhe e parandalojnë në origjinë. SHBA me sa di unë e ka bazën në Sarandë për të parandaluar këto grupe kriminale.
Cila është aftësia e këtyre grupeve? Është kontakti dhe ndërtimi i luajalitetit të pushtetit ndaj tyre. Që nga Lazarati dhe deri sot ka qenë infrastruktura e tyre që ka ndikuar sistemin shtetëror. Kur një vend i vogël nuk është i mjaftueshëm për të vepruar, ata ikin jashtë pastaj.

Enton Abilekaj: Forcimi i tyre bëhet për shkak të lehtësirave që pushteti i lejon këtu. Bizneset e tyre lidhen me shtetin, nuk janë të pavarura. Ata marrin leje ndërtimi këtu, bëjnë pallate edhe në bregdet.

Baton Haxhiu: Ata kanë ndërtuar koncept të krimit. 

Enton Abilekaj: Kur thua se ka lagje në Shkozet ku nuk hyn dot njeri, një polic në zonë e ka këtë informacion. Kur ndodh që në një lagje të Elbasanit nuk hyn dot se të kontrollon tjetri, apo në Vlorë, atëherë këto quhen zona të ndaluara. Burojnë para dhe biznese të paligjshme. Pastaj bëjnë edhe bamirësi. Xhafzotaj dhe Sukthi i dashurojnë këta pastaj, nuk e kanë problem të marrin nga 20 mijë vota, sepse ndihmojnë fukarenjtë. Pra bëhen në bashkëpunim me qeverinë. Eskobar shpërndante para në Bogota përshembull.