AKTUALITET, 26 Maj 2025, 22:14

“Basha në 2021 bëri të njëjtin gabim”, analistët komentojnë deklaratat e Berishës për mosnjohjen e zgjedhjeve

“Basha në 2021 bëri të njëjtin gabim”,

Analistët Baton Haxhiu, Enton Abilekaj dhe Ergys Mërtiri komentuan në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, qëndrimin e kryetarit të PD-së, Sali Berisha pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit.

Ndërsa Haxhiu tha se i vinte keq për gjuhën e përdorur nga Berisha, Abilekaj tha se Berisha nuk foli për vjedhjen e votave para 11 majit për të mos dekurajuar njerëzit, ndërs Mërtiri deklaroi se Berisha duhet të na thotë se si mundet Rama.

Pjesë nga biseda

Haxhiu: Ç’kuptim kanë fjalët: ky është krim monstruoz, falsifikim e me rradhë? Ky është krijimi i një emocioni të panevojshëm politik për të mbuluar humbjen. Ky është njeriu që ka vendosur kriterin e gjuhës për të gjithë zgjedhjet. Ç’të them për të? Përveçse më vjen keq.

Abilekaj: Gjatë fushatës, kur këto gjëra thuheshin nëpër media, PD dhe zoti Berisha e shmangte këtë debat nga frika se do të dekurajoheshin votuesit. Atëherë ishte vëmendja më e madhe. Pas zgjedhjeve njerëzit janë kthyer në punët e tyre. Kur e dëgjojnë këtë ankim përsëritës, u duket refren i njohur dhe nuk i japin rëndësi. Duhej folur më parë me njerëzit, sinqerisht. Basha në 2021 bëri të njëjtin gabim. Nëse qeveria po ble dhe tjetërson vota, atëherë momenti për ta denoncuar është kur po ndodh, me qëllim që njerëzit të kuptojnë se çfarë po ndodh. Njerëzve u thuhet e vërteta dhe u thuhet dilni në zgjedhje, sa më shumë aq më mirë. Këto gjëra nuk ndodhën. Para zgjedhjeve na u tha me program mundet Rama, edhe me listë të keqe mjafton program, se qeverisja e Ramës është më e keqe. Tani na thuhet na i vodhën.

Mërtiri: Këta nuk kanë të qartë se si mundet Rama. Berisha thoshte mundet me revolucion. Pastaj thoshte me zgjedhje. Pastaj mosbindje civile, pastaj duhet qeveri teknike, tani humb zgjedhjet. Berisha duhet të na thotë se si mundet Rama. Ky ka prodhuar të gjithë skenarët dhe thotë ai fiton por bën me hile.

Abilekaj: Përgjegjësinë e ka që kur na tha do të bëjmë qeveri teknike dhe nuk ka zgjedhje, hoqi dorë dhe këtë duhet ta shpjegojë.

Mërtiri: Tani është kthyer prapë në qeveri teknike.

Abilekaj: Pastaj tha do të fitojmë me program. Politikani duhet të mbajë përgjegjësi për ato që thotë.

Mërtiri: Ai thotë se luftën për votën e lirë mund të bëjë vetëm ai. Ky që e humb me çdo mjet, thotë se vetëm ai mund ta bëjë.

Haxhiu: Gjuha e Berishës nuk ëzhtë zhvilluar bashkë me zhvillimin e shtetit dhe rrethanave.