AKTUALITET, 4 Shtator 2025, 11:02

Drafti/ Kodi i ri Penal, Manja: Kemi mbajtur shënim të gjitha shqetësimet e sugjerimet, u është përcjellë për mendim ekspertëve italianë

Drafti/ Kodi i ri Penal, Manja: Kemi mbajtur shënim të gjitha

Kanë nisur diskutimet në tryezën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë lidhur me konsultimet publike për draftin e Kodit të ri Penal.

Draft është kritikuar fuqishëm nga institucione të mëdha drejtësie, dhoma e Avokatisë, shoqatat e gazetarëve, aktivistët dhe intelektualët, që e kanë cilësuar si një dokument represiv që dëmton liritë dhe të drejtat e njeriut.

Punimin për draftin e ri e ka iniciuar Ministria e Drejtësisë, e cila formoi një grup pune ekspertësh që përfshin gjyqtarë, prokurorë dhe pedagogë të së drejtës penale, si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se kanë mbajtur shënim kritikat dhe sugjerimet pas publikimit të draftit të Kodit të ri Penal. Ai tha se që nga publikimi i draftit në faqen zyrtare të ministrisë, kanë marrë një numër të vogël komentesh dhe disa organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar të jenë pjesë e procesit të konsultimit publik. Ministri theksoi gjithashtu se për draftin kanë kërkuar opinionin e një grupi ekspertësh italianë.  

"Na jepni mundësinë që edhe njëherë të informojmë dhe qartësojmë opinionin publik por cilido individ, grup interesi apo aktor që janë të interesuar për të qenë pjesë aktive e diskutimit dhe pjesëmarrjes në konsultimin e gjerë publik që do t’i nënshtrohet drafti i ri. Në 25 korrik prezantuam draftin e kodit të ri, por gjatë kësaj periudhe, ka pasur mjaft komente, analiza dhe debate e diskutime, por edhe shqetësime për aspekte të veçanta teknike të vetë draftit por edhe procesit të ndjekur për hartimin e kodit të ri penal dhe rolin e ministrisë së drejtësisë. Kemi mbajtur shënim komentet e analizat, sugjerimet e shqetësimet por nga momentii publikimit të draftit në uebin e ministrisë dhe dhënies së linkut të sekretariatit, deri tani kanë ardhur një numër i vogël komentesh dhe disa organizatatë shoqërisë civile kanë kërkuar të jenë pjesë e procesit të konsultimit publik.

Gjithsesi e menduam këtë tryezë sot për të dhënë disa përgjigje në lidhje me procesin, rolin e ministrisë dhe aspekte të veçanta teknike të draftit të ri. Më duhet të them që roli i ministrisë së drejtësisë në këtë proces është ai i porositësit të draftit të kodit të ri penal. Pra, jemi ne ministria e Drejtësisë, në emër të qeverisë, që e kemi porositur këtë draft të Kodit të ri edhe si përmbushje e detyrimeve tona në kuadrin e strategjisë së drejtësisë por edhe të negociatave me BE-në. Në procesin e hartimit apo draftimit të ligjeve, ka dy rrugë ose nëpërmjet drejtorisë së legjislacionit në ministri ose nëpërmjet grupit të ekspertëve të fushës. Kemi zgjedhur këtë të dytën edhe për shkak të rëndësisë që ka hartimi i një kodi të ri në jetën politike,. juridike dhe ekonomike të vendit.”, u shpreh ministri.