AKTUALITET, 15 Prill 2022, 14:13

“Dokumentacioni nuk u bë nga unë”, zbardhet dëshmia e Lefter Kokës në SPAK, ish-ministri mohon akuzat

“Dokumentacioni nuk u bë nga unë”, zbardhet dëshmia e

Ish-ministri i mjedisit Lefter Koka ka dhënë sqarime në prokurori për më shumë se dy orë në lidhje me dhënien me koncesion të Inceneratorit të Fierit. Mësohet se Koka ka mohuar akuzat e prokurorisë, duke deklaruar se ka zbatuar vetëm ligjin.

Ish-ministri i mjedisit Lefter Koka ka dhënë deklarime këtë të premte në prokurorinë e posaçme për më shumë së dy orë, lidhur me hetimet që po zhvillohen për Inceneratorin e Fierit.

Koka mbërriti në ambientet e SPAK, në orën 10 të mëngjesit dhe ka dhënë sqarime përballë prokurorit Dritan Prençi, në prani të avokatëve të tij mbrojtës.

Abc News raporton se Koka ka treguar se ka respektuar ligjin dhe nuk ka kryer asnjë shkelje gjatë dhënies me koncesion për ndërtimin e Inceneratorit.

Koka ka dhënë sqarime edhe për akuzën e shpërdorimit të detyrës, në lidhje me shpronësimin e sipërfaqes së tokës ku u ndërtuar inceneratori.

Ai ka treguar se nuk ka përgjegjësi për shpronësimin, pasi dokumentacioni është përgatitur nga ekspertët e ministrisë së mjedisit. Nga ana tjetër prokuroria pretendon se, Koka ka përfituar përmes ryshfetit 1.2 milionë euro për ndërtimin e Inceneratorit të Fierit.

Koka akuzohet edhe për Inceneratorin të Elbasanit që sipas prokurorisë ka marrë ryshfet 3.7 milionë euro për ndërtimin e tij.

Një ditë më parë dha sqarime në prokurori ish-deputeti socialist Alqi Bllako, që gjithashtu ka mohuar të jetë i përfshirë në aferën korruptive. Bllako dyshohet se përmes ryshfetit ka favorizuar biznesmenin Klodian Zoto për ndërtimin e Inceneratorit duke marrë rreth 140 milionë lekë.