AKTUALITET, 18 Tetor 2022, 11:09

Dita e dytë e protestës, pedagogët kërkojnë rritjen e pagës

Dita e dytë e protestës, pedagogët kërkojnë rritjen e

Pedagogët e universiteteve publike në vend janë sot në ditën e dytë të bojkotit, në fillimin e këtij viti akademik që ka nisur me paqartësi të shumta.

Në ditën e parë të universitetit, pjesa më e madhe e pedagogëve bojkotuan mësimin, një pjesë në orarin 10:00-12:00, duke mos u tërhequr nga kërkesa e tyre për rritjen e pagës.

E njëjta situatë vijon edhe këtë të martë, teksa kryeministri Edi Rama ka mbledhur në një takim rektorët e universiteteve publike dhe jopublike në vend.

Në fakultetin e Shkencave të Natyrës nuk është zhvilluar mësim, ndërsa të pranishëm kanë qenë vetëm student të viteve të para.

E njëjta situatë është edhe në Universitetin Politeknik, ndërsa pedagogët nuk janë paraqitur në auditore.

Edhe në Universitetin e Shkodrës sot nuk është zhvilluar mësim.

Shefi i Departamentit të Infermierisë, Emiljano Pjetri ka thënë se auditorët janë bosh, pasi studentët janë solidarizuar me mësimdhënësit e tyre, kërkesat e të cilëve janë të drejta.

Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës një pjesë e pedagogëve kanë bojkotuar, ndërsa në Universitetin “Fan Noli” në Korçë 70% e pedagogëve kanë nënshkruar peticionin për kërkesat, por bojkoti është bërë nga një pakicë. Nga 140 pedagogë, janë bërë rreth 20 që kanë bojkotuar mësimin.