AKTUALITET, 5 Gusht 2023, 18:51

Detajet/ Manovra e gabuar e një prej mjeteve shkaktoi aksidentin me 7 të plagosur në Korçë, mes tyre 2 të mitur

Detajet/ Manovra e gabuar e një prej mjeteve shkaktoi aksidentin me 7

Zbardhen të tjera detaje nga aksidenti me 7 të plagosur  në Korçë. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Maliq-Pogradec në afërsi të kryqëzimit të fshatit Gurishte. Mësohet se njëri nga mjetet e përfshirë në aksidentin e 3-fishtë ka qenë duke lëvizur nga Maliqi në drejtim të Pogradecit, ndërkohë që dy mjetet e tjera po shkonin drejt Korçës.

Krejt papritmas mjeti që vinte nga Maliqi ka kryer një manovër të gabuar duke kaluar nga krahu i djathtë i rrugës në krahun e kundërt. Aty ku më pas është përplasur fillimisht me një mjet golf e më pas edhe me një mjet tjetër. Si rezultat i këtij aksidenti 7 persona mes të cilëve 3 drejtues të mjeteve kanë mbetur të plagosur. Për transportimin e tyre drejt spitalit të Korçës janë angazhuar 2 ambulanca të Korçës dhe 1 e Maliqit.

Po ashtu raportohet se 7 të plagosurit përfshi edhe 2 minorenë, janë jashtë rrezikut për jetën. Ekspertët e policisë rrugore po hetojnë për shkaqet e këtij aksidenti, por mendohet që drejtuesi i mjetit që solli përplasjen të ketë qenë duke udhëtuar me shpejtësi në kushte të vështira atmosferike dhe reshje të dendura shiu.