AKTUALITET, 23 Shtator 2023, 12:17

Detaje/ Kush është efektivi që u arrestua dhe personi që lejoi të kalojë në kufi! 33-vjeçarit iu gjetën 522 mijë euro në autobus

Detaje/ Kush është efektivi që u arrestua dhe personi që

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vendosi në pranga Gledis Lushin, oficer policie me detyrë ndihmës kontrollor në Stacionin e Policisë në Portin e Durrësit, pasi lejoi të kalonte kufirin një person të shpallur në kërkim.

Mësohet se ky person është shtetasi Elidon Çela, i cili rreth 1 vit më parë u kap me 522 mijë euro të padeklaruara në autobusin në emër të kompanisë së tij “Buon Aventura” që vinte nga Bari i Italisë në Portin e Durrësit

Ai u la nga togat e zeza me masë më të butë sigurie pas arrestimit. Por në 14 shtator Gjykata e Lartë riktheu atë në arrest në burg dhe u shpall në kërkim.

Tre ditë më vonë,  më 17 shtator Elidon Çela u lejua nga polici Gledis Lushi të kalojë në mënyrë të paligjshme nga porti i Durrësit.

Por Elidon Çela ra në prangat e policisë pasi u rikthye në Shqipëri.

“Janë kursime të familjes”

Në deklarimet e tij, pas arrestimit në tetor të vitit 2022, Elidon Çela është shprehur se paratë ishin kursime të familjes dhe se janë të ardhura të krijuara nga biznesi, madje është treguar i gatshëm të vërë në dispozicion edhe faturat.

Ndërsa gjatë dëshmisë në gjykatë, ai u shpreh: “Ka pushtetarë që i vjedhin shtetit 4 milion euro dhe lëvizin të lirë, ndërsa unë në burg me paratë e mia”. 

“Ai po i sillte nga Italia se i ka fitim të 27 viteve. Ka biznes atje, ka punë të ndryshme atje, ka punuar në Itali, ka shitur, ka blerë. Shoferi kishte pretendime se ka pushtetarë tha që ia vjedhin shtetit dhe nuk i lë njeri në burg, 4 milionë euro, jo të më lërë mua në burg për 520 mijë euro që i kam të miat”, tha avokati i Çelës për mediat.

Ai u lirua nga qelia në dhjetor 2022 dhe ndaj tij u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Gjyqtarja Anita Mici vendosi lirimin e Elidon Çelës me arsyetimin se lirimi i tij nuk e pengon zhvillimin e hetimit.