AKTUALITET, 2 Shkurt 2026, 09:37

Detaje/ Atentati ku u plagos 30-vjeçari në Lezhë, policia, kontroll në banesa! Disa persona të shoqëruar, zbardhen lëvizjet e autorëve

Detaje/ Atentati ku u plagos 30-vjeçari në Lezhë, policia,

Policia e Lezhës ka ushtruar kontrolle në banesa gjatë mbrëmjes së të dielës, 1 shkurt, pas atentatit ku u plagos 30-vjeçari Sokol Daci në Rrilë të Lezhës.

Disa persona janë shoqëruar gjithashtu në polici. Sipas gazetarit, personi që ka shkëmbyer zjarr me autorët nga brenda berberhanes, ku ndodhi ngjarja, ka qenë një punonjës policie. Por në dëshminë e tij, ai ka thënë se nuk ka konflikte me njeri.

“Policia ka bërë disa kontrolle në banesa, disa persona janë shoqëruar në lidhje me ngjarjen. Një nga personat që ndodhej brenda berberhanes, sipas dyshimeve paraprake, dyshohet të ketë qenë një punonjës i uniformave blu që menjëherë ka nxjerrë armën por me marrjen në pyetje, ka bërë me dije se nuk i ka njohur personat dhe se nuk ka konflikte. “.

Mendohet se personat që ndodheshin në berberhane janë kundërpërgjigjur gjithashtu me armë.

Policia po ushtron kontrolle në klinika dhe spitale private, pasi dyshohet të jetë plagosur dhe edhe shënjestra e atentatit, i cili mendohet të ketë qenë anëtari i fisit Nikulaj.

30-vjeçari Sokol Daci u dërgua në Spitalin e Traumës, por ndodhet në gjendje të qëndrueshme. Sokol Daci nuk rezulton të ketë precedentë penalë apo të jetë një person problematik në zonë. Ai njihej gjithashtu edhe si berber Coli.

Policia po ushtron kontrolle në klinika dhe spitale private për të plagosurin tjetër, anëtarin e fisit Nikulaj.

Ngjarja rikthen në vëmendje historinë e hakmarrjes Nikulaj dhe Lekstakaj.

DYSHIMET DHE LËVIZJA E AUTORËVE

Burime nga grupi hetimor kanë bërë me dije se 30-vjeçari, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës, nuk ka qenë shënjestra e atentatit, por një nga katër personat e tjerë që ndodheshin brenda biznesit të tij në momentin kur ndodhi ngjarja.

Dyshohet se kanë qenë tre persona të cilët kanë mbërritur në fshatin Rrilë të Lezhës me një mjet tip “Audi”, dhe pasi janë ulur nga makina, kanë qëlluar në drejtim të berberhanes, duke lënë të plagosur Sokol Dacin, i cili ka marrë tre plumba, një në shpatull, një në bark dhe një në këmbë.

Mësohet se i lënduar nga të shtënat me armë ka mbetur edhe një anëtar i familjes Nikulaj, por deri tani në ambientet e spitalit nuk është paraqitur asnjë person i plagosur. Kujtojmë që një anëtar i fisit Nikulaj, Ardian Nikulaj, u vra në prill të 2023 në hotelin e tij në Shëngjin, ndërsa si porositës i kësaj ngjarje dyshohet se është Edmond Haxhia për shkak të hasmërisë.

Si nisi saga e hasmërisë mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj

Hasmëria mes fisit Palaj (Lektasaj) dhe Nikulaj e ka zanafillën në vitin 1996 ku anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj) kanë ekzekutuar vëllain e Ardian Nikulajt, pas një konflikti të çastit në një pikë karburanti për 1000 lekë karburant. Vëllai i Ardian Nikulajt bashkë me një person tjetër ishin shitës në karburantin në fjalë dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën. Pas furnizimit me karburant shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnizimit me karburant.

Pas debatit verbal drejtuesi i mjetit është larguar, duke u rikthyer i armatosur disa minuta më vonë dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve duke i lënë të vdekur në vend mes të cileve dhe vëllain e Ardian Nikulaj. Aty nis dhe historia e gjakmarrjes, ku pak muaj më vonë vriten Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja që ishte nip i familjes. Ndërsa në vitin 1999 vritet Gjovalin Lekstakaj dhe plagoset rëndë Pjetër Lekstakaj. Sot e kësaj dite kjo ngjarje e rëndë e ndodhur disa vite më parë është e pazbardhur dhe s’ka asnjë autor të dënuar nga drejtësia. 

Ka qenë kjo histori që ka sjellë disa vrasje mes dy fiseve, ku vrasja e Ardian Nikulajt në 19 prill të 2023 u pasua me vrasjen e Nikolin Lekstakajt, tre muaj më pas, më 19 korrik. Për Nikulajn u zbulua se vrasja u realizua nga të huajt për 1.7 milionë paund, shumë e ofruar edhe për kokën e vëllait të tij.

Pas gati 7 muajsh nga vrasja e Ardian Nikulajt, u ekzekutua edhe i afërmi i tij, Entjan Nikulaj.