TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka njoftuar hapjen e konsultimeve publike për propozimin e saj ligjor që synon njohjen e punës së papaguar të nënave që kujdesen për fëmijë me sindromën Down dhe ata që janë pjesë e spektrit të autizmit.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se ky propozim adreson një realitet të heshtur social: mijëra nëna janë të detyruara të qëndrojnë jashtë tregut të punës për shkak të përkushtimit të plotë dhe të vazhdueshëm ndaj kujdesit të fëmijëve të tyre, një kujdes që kërkon angazhim të përditshëm, terapi shtesë dhe mbikëqyrje të vazhdueshme.
Sipas Tabakut, puna e papaguar e këtyre nënave duhet të njihet si ditë pune të vlefshme për qëllime të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në mënyrë që ato të mos penalizohen në të ardhmen, veçanërisht në të drejtën për pension. “Kjo nuk është lëmoshë, por një shërbim real dhe i domosdoshëm që kryhet për mungesë alternativash institucionale të kujdesit,” thekson ajo.
Deputetja e PD fton organizatat e shoqërisë civile, aktivistët dhe të gjithë personat e interesuar të kontribuojnë në procesin konsultativ, me synimin për të përmirësuar cilësinë e legjislacionit dhe për të arritur një rezultat final sa më gjithëpërfshirës dhe të drejtë. Ajo nënvizon se procesi i konsultimit është po aq i rëndësishëm sa edhe përfshirja e gjerë e aktorëve, pasi vetëm kështu mund të garantohet një zgjidhje e qëndrueshme për këto familje.