TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ditën e sotme janë zhvilluar primaret, me kandidatët e Komisionit të Rithemelimit, për të përfaqësuar PD-në në zgjedhjet lokale.
Ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia, do të jetë kandidati i grupit të Sali Berishës për zgjedhjet e 6 marsit për Bashkinë e Shkodrës. Pas tërheqjes së kryetares aktuale të bashkisë, Voltana Ademi, gara u hap. Spahia ishte përballë Ernest Kocobashit, Arben Maliqit, Astrit Bushatit, Irena Shalës dhe Irma Alushit.
Ardian Muka ka fituar primaret e anëtarësisë së PD në Durrës. Muka ka arritur të sigurojë 1546 vota, përballë 373 votave të kandidates tjetër, Silvja Gjepali. 11 vota janë shpallur të pavlefshme.
Nga numërimi i votave të anëtarësisë së PD në Dibër, primaret janë fituar nga Premtim Kryemadhi i cili ka marrë 424 vota. Kandidatët e tjerë kanë marrë përkatësisht, Behar Dema 158 vota dhe Dafina Muda ka 121 vota. 713 anëtarë të PD kanë marrë pjesë në zgjedhjet primare në Dibër. 10 vota kanë dalë të pavlefshme.
Me 277 vota, Lulzim Vrana është shpallur fitues i primareve të Komisionit të Rithemelimit të PD në Bashkinë e Vorës. Kandidati tjetër në garë, Luan Beta ka marrë 55 vota. Lulzim Vrana do të jetë kandidati i Partisë Demokratike për kryetar bashkie në Vorë, në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.
Hekuran Xhani me 211 vota është shpallur fitues i primareve të PD në Bashkinë e Rogozhinës dhe do të garojë në 6 mars për kryetar bashkie. Kandidatët e tjerë në këtë garë kanë marrë: Eqerem Deliu, 23 vota, Hajrulla Tafa, 3 vota, Sokol Gosa, 70 vota, Vladimir Manushi, 7 vota. Dy vota janë shpallur të pavlefshme Në total, kanë marrë pjesë në këtë proces 316 anëtarë të Partisë Demokratike me të drejtë vote.
Në primaret e anëtarësisë së PD në Lushnjës për primaret për kryetar Bashkie, fitues është shpallur Elton Bano me 671 vota. Kandidatët e tjerë morën: Arben Zaimi 240 vota; Erion Iljazi 49 vota dhe Indrit Qerimi 92 vota.
