AKTUALITET, 30 Janar 2022, 16:24

Berisha: Kandidatët tanë dalin nga primaret, merr fund praktika korruptive dhe autoritare

Berisha: Kandidatët tanë dalin nga primaret, merr fund praktika

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë takimit në Vaun e Dejës, deklaroi se kandidatët e Komisionit të Rithemelimit në PD per zgjedhjet e pjesshme lokale te 6 marsit, do të dalin nga primaret.

Berisha theksoi se kështu merr fund praktika korruptive e autoritare.

"Sot demokratët e qytetarët me primare zgjedhin me votën e lirë kandidatin apo kandidaten për qytetar/e të parë.

Kjo është arritje e madhe, që e premtuam më herët. Primaret janë metoda më demokratike e zgjedhjes së përfaqësueve të qytetarëve. Ju me votën tuaj do zgjidhni edhe këshilltarët e bashkive, deputetët tuaj dhe në të ardhmen e afërt edhe kryeministrin tuaj.

Do të marrë fund praktika korruptive e autoritare. Kështu merr fund praktika e emërimeve nga lart, e zarfeve dhe e pakove me euro për të fituar emërimin, që do jetë vetëm atribut i vullnetit të lirë qytetar. PS nuk ka bërë asnjë votim të lirë që nga 2009", deklaroi Sali Berisha.