AKTUALITET, 1 Mars 2025, 13:14

Blushi takim me strukturat në Korçë: Programi i Partisë së Lirisë ka prioritet bujqësinë

Blushi takim me strukturat në Korçë: Programi i Partisë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi zhvilloi sot një takim me strukturat e Partisë së Lirisë në Korçë, ku i pranishëm ishte edhe sekretari politik i PL-së në këtë qark Gentian Çela.

Blushi tha gjatë fjalës së tij se “Korça ashtu si Tirana, është sot një ndër qytetet më të ndotura në Shqipëri dhe ku çdo investim ka patur dhe ka një prapavijë të tmerrshme korrupsioni”.

Blushi tha ndër të tjera se “Partia e Lirisë vjen sot në Korçë dhe në të gjithë Shqipërinë me një program të shkëlqyer, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, që kryeprioritet të saj ka sigurisht mbështetjen e bujqësisë dhe mbështetjen e fermerit korçar dhe shqiptar”.

“30 miliardë lekë çdo vit do të akordojmë për bujqësinë, me indeksimin progresiv në vitet në vazhdim. Programi ynë konkret për të mbështetur fermerin shqiptar, synon pagesë direkte për çdo kokë dele apo dhi, për çdo kokë lopë”, tha Blushi.

“Do të heqim tatimin 20% në shitje si dhe do të rrisim tarifat doganore për të gjitha produktet e importit në mënyrë që të mbështesim prodhimet “Made in Albania”, u shpreh më tej Blushi.

Blushi shtoi se “një tjetër prioritet i yni është dyfishimi i pagave dhe pensioneve, në mënyrë që pensionisti korçar të mos detyrohet sot të shkojë në Maqedoninë e Veriut për të blerë ilaçet 5 herë më lirë”.

“Prioriteti ynë madhor për t’i dhënë fund shpopullimit të Korçës nga të rinjtë është ndalimi i menjëhershëm i shpopullimit”, tha Blushi.

“Do të mbulojmë deri në 100% pagat për nënat deri në dy vite pas lindjes, si dhe do të garantojmë që çdo i ri apo e re deri në moshën 29 vjeçare të mbështetet me 20 mijë euro për të hapur një biznes të ri apo start-up”, tha Blushi.

Blushi u shpreh se “1.3 miliardë euro do të akordojmë për arsimin, në mënyrë që të mos kemi më thellim të injorancës,  të padijes dhe nxënës të cilët sot renditen të fundit në botë sa i përket kreativitetit të tyre”.

“Një tjetër prioritet madhor për ne është shndërrimi i Shqipërisë në fuqi eksportuese”, tha Blushi.

Blushi po ashtu u bëri thirrje shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që të regjistrohen në Platformën Elektronike të Regjistrimit për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare.

“11 Maji është një mundësi historike që diaspora të shprehi qartësisht vendimin e saj që Shqipëria të hapi një kapitull të ri, një vend jo vetëm me 4 milion shqiptarë plus, po ku taksat nuk do të vidhen dhe ku mirëqenia e fermerit, e qytetarëve dhe e të gjithë shqiptarëve do të rritet”, tha Blushi.