AKTUALITET, 14 September 2026, 09:30

FOTO/ Viti i ri shkollor risjell trafikun, rrugët e Tiranës bllokohen, situatë e kaotike te Unaza e Madhe dhe akset e tjera

Tirana është zgjuar këtë të hënë me trafik të rënduar, ndërsa hyrjet e kryeqytetit dhe disa prej akseve kryesore janë bllokuar nga fluksi i lartë i automjeteve. Situata është rënduar edhe nga nisja e vitit të ri shkollor, që ka shtuar lëvizjet që në orët e para të mëngjesit.

Problematike paraqitet Unaza e Madhe, ku sipas hartës së trafikut, radhë të gjata automjetesh janë krijuar në segmentin nga zona e Liqenit dhe Komuna e Parisit, drejt Laprakës e deri në afërsi të Paskuqanit. Në disa pjesë të këtij aksi qarkullimi është thuajse i paralizuar.

Trafik i rënduar raportohet edhe në hyrjen perëndimore të Tiranës, në aksin që vjen nga Durrësi drejt kryeqytetit, si dhe në rrugët që lidhin Kthesën e Kamzës, Laprakën dhe Don Boskon me qendrën. Probleme ka edhe në disa akse brenda qytetit, ku automjetet lëvizin me vështirësi.

Nga pamjet shihen radhë të gjata makinash në Unazën e Madhe, ndërsa qytetarët thonë se kanë qëndruar deri në dy orë në trafik për të mbërritur në destinacionet e tyre.

 Fluksi i shtuar lidhet edhe me ditën e parë të shkollës, me mijëra nxënës që rikthehen sot në institucionet arsimore dhe prindër që i shoqërojnë drejt shkollave.