AKTUALITET, 11 Maj 2025, 20:47

"Do të ndryshojë rezultatin", Berisha: Rama në vështirësi psikologjike, të ndalojë bandat që intimidojnë komisionerët

"Do të ndryshojë rezultatin", Berisha: Rama në

Sali Berisha ka akuzuar strukturat kriminale se po ushtrojnë presion ndaj komisionerëve zgjedhorë, pas përpjekjeve për të frikësuar votuesit.

Ai u bëri thirrje komisionerëve të PD-së të mos dorëzohen ndaj presioneve dhe të ndjekin ligjin.

Berisha gjithashtu kërkoi që autoritetet të garantojnë kushte të sigurta për punën e komisionerëve.

"Bandat bënë gjithçka për të shtruar presion mbi votuesit. Tani shënjestra e tyre janë komisionerët. Ne i kërkojmë komisionerëve tanë të mos bien pre e presionit. Ata duhet të ndjekin ligjin. Autoritetet duhet t'u sigurojnë që të punojnë të qetë dhe jo nën presion. I kërkoj kryeministrit Edi Rama i cili është në vështirësi psikologjike të ndalojë bandat, vrasësit kriminelë të ndalojnë intimidimin për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve", tha Berisha. 

Lidhur me situatën në Durrës, ai ka akuzuar banda të lidhura me kryeministrin Edi Rama se kanë ndërhyrë në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.

Berisha paralajmëron se qeveria e ardhshme e Aleancës për Shqipërinë Madhështore do t’i shpallë këto grupe si organizata terroriste dhe do t’i ndëshkojë me ashpërsinë më të madhe të ligjit.

"Në Durrës bandat e Pojës kanë vërshuar drejt KZAZ me urdhër nga Edi Rama se mund të ndikojnë në rezultat. Kjo nuk është vetëm në Durrës, por ata janë më aktivë, janë denoncuar, qoftë nga mediat, qoftë nga PD dhe në zona të tjera Rama ka zgjedhur një lloj presioni drejt KZAZ. Porosia ime e prerë për komisionerët tanë në KZAZ, të zbatohet ligji dhe vetëm ligji. Asnjë votë nuk duhet të numërohet në presion.

Garantoj të gjitha bandat se qeveria e Aleancës për Shqipërinë Madhështore do i shpallë ato banda terroriste dhe do mmarrin ndëshkimet më maksimale si të tilla. Ata janë në përpëlitjet e fundit. Asgjë nuk mund të ndryshojë, populli ka folur në mënyrë vendimtare", tha Berisha.

I pyetur nëse mendon se koalicioni që drejton ka fituar, Berisha tha: 

"Të gjithë treguesit janë për një dominim të qartë elektoral të aleancës tonë. Të gjithë treguesit. Edhe rritja e ndjeshme e përqindjes në votime në zonat tona është një ogur i bardhë për rezultatin e aleancës tonë". Berisha nuk pranoi të jepte shifra përqindjeje apo numra mandatesh.