AKTUALITET, 29 Shtator 2025, 13:27

Akuzat/ Berisha: Shqipëria është shndërruar nga Rama në parajsën e larjes së parave të klaneve dhe karteleve më të rrezikshme në Evropë!

Akuzat/ Berisha: Shqipëria është shndërruar nga Rama në

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi sot qeverinë se e ka kthyer vendin në një narkoshtet me kartele droge që SHBA-të i kanë shpallur tashmë organizata terroriste.

Në një konferencë të radhës për mediat ditën e sotme, kreu i selisë blu theksoi se Shqipëria tani është bërë parajsa e larjes së parave dhe klaneve të karteleve të rrezikshme në Evropë dhe se tashmë ndërkombëtarët janë njoftuar nga ana e PD-së.

“PD ka denoncuar shkatërrimin e ekonomisë së tregut, largimin e shqiptarëve nga vendi në mënyrë masive. PD ndihet e inkurajuar nga vendimi i fundit i presidentit Donald Trump për të shpallur organizata terroriste kartelet e drogës. Kartelet e drogës dhe organizatat kriminale përbëjnë rrezik për vendet, rajonet, paqen dhe sigurinë në botë. Shqipëria është shndërruar nga Edi Rama në parajsën e larjes së parave të klaneve dhe karteleve më të rrezikshme në Evropë”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu komentoi edhe raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për gjendjen e investimeve të huaja dhe largimit të bizneseve ndërkombëtare nga Shqipëria.

“DASH në raportin e fundit flet haptas për një patern ekonomik që po zhvillohet dhe që është i narkoshtetit dhe narkoekonomisë. Nuk ka investime të huaja, prej 10 vitesh nuk numërohen as me gishtat e dorës, sepse janë zëvendësuar nga narkotrafikantët dhe njerëzit e tyre. Janë kartelet e drogës që dominojnë tërësisht tregun shqiptar, që kanë shkatërruar konkurrencën, që janë të preferuarit apo diktojnë Edi Ramën”, vijoi ai.

Më tej shtoi se shumë kompani janë larguar dhjetë vitet e fundit për shkak të narkoshtetit dhe shkatërrimit të konkurrencës dhe zëvendësimin e saj me kartelet e drogës.

“Ndaj në raport flitet për korrupsion të madh qeveritar, në gjyqësor, për paratë e drogës, mungesën e investimeve të huaja, tipike për një narkoshtet. Kompani të mëdha botërore që investuan miliarda u larguan këto vite nga Shqipëria dhe u zëvendësuan nga kartelet e drogës. Kompani që ndërtuan nga Hani i Hotit në Gjirokastër, apo ato që hodh  deri në 1 mld dollarë investime si në Shpirag për naftën dhe më gjerë, si dhe të tjera që hodhën miliarda dhe u larguan për shkak se u zëvendësuan nga kartelet e drogës”, tha kryetari i PD-së.

Berisha bëri akuza ndaj kryeministrit duke iu rikthyer edhe çështjes “Aruba”.

“Takimi i Arubës përcillet në heshtje varri nga Edi Rama dhe narkoministrat e tij. Ai po përpiqet ta arkivojë në harresë, por kjo nuk do të ndodhë,” tha ai.

Sipas Berishës, pas këtij takimi të supozuar, “Rama është kthyer në Shqipëri me një orë luksoze 400 mijë euroshe, të zbukuruar me diamante dhe safirë – një deklaratë që nuk është e mbështetur me prova të bëra publike deri tani”.

Ai e krahasoi Ramën me presidentin venezuelian Nicolas Maduro dhe e cilësoi si kryeministrin e parë të një vendi narkoshtet në Evropë.

Ndaj edhe e përshëndeti nismën e presidentit amerikan Donald Trump, për shpalljen e karteleve të drogës si organizata terroriste.