AKTUALITET, 29 Shtator 2025, 12:17

Operacioni/ Tentuan të trafikonin një 14-vjeçare drejt Kosovës, arrestohen në flagrancë dy të rinjtë nga Berati

Operacioni/ Tentuan të trafikonin një 14-vjeçare drejt

Policia Kufitare e Morinës ka arrestuar dy të rinj nga Berati, pasi akuzohen se kanë tentuar që të trafikojnë një të mitur nga Durrësi në Kosovë.

Në pranga ka rënë i riu Eldi Guri, i cili ishte drejtuesi i automjetit që ndaloi policia. Po ashtu është arrestuar edhe pasagjeri Aleandro Keli, për moskallëzim të krimit.

Ndërsa policia bën me dije se ditën e djeshme, familjarët e 14-vjeçares, kanë denoncuar largminin e minorenes nga shtëpia.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar dhe në analizën e riskut, kanë ndaluar në dalje të RSh-së, automjetin me drejtues shtetasin E. G., 22 vjeç, i cili udhëtonte me shtetasin A. K., 18 vjeç, dhe me një shtetase 14 vjeçe.      

Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. G. po tentonte ta kalonte në kufi, 14-vjeçaren, me qëllim trafikimin e saj në Kosovë.   

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme arrestuan në flagrancë shtetasit: 

E. G., 22 vjeç, banues në Berat, për veprën penale”Trafikimi i të miturve”; 

A. K., 18 vjeç, banues në Berat, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Më datë 28.09.2025, në DVP Durrës, kanë kallëzuar familjarët e 14-vjeçares, për largimin e saj nga banesa. 

Vijojnë hetimet për rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.